

Kryetari i Federatës së Sporteve Universitare, Prof. Dr. Musa Selimi, dhe Nënkryetari i kësaj Federate, z. Nehat Gashi sot vizituan Universitetin “Ukshin Hoti”Prizren
Kryetari i Federatës së Sporteve Universitare, Prof. Dr. Musa Selimi, dhe Nënkryetari i kësaj Federate, z. Nehat Gashi sot vizituan Universitetin “Ukshin Hoti”Prizren, ku u pritën nga Rektori Prof. Dr. Mentor Alishani, në zyrën e tij. Takimi u karakterizua nga diskutime frytdhënëse mbi rolin e sportit në jetën studentore dhe rëndësinë e bashkëpunimit të mëtejshëm mes institucioneve arsimore dhe federatave sportive.
Nehat Gashi, i cili njëkohësisht është edhe udhëheqës i Qendrës së Karrierës dhe Alumni në Universitetin e Prizrenit, theksoi rëndësinë e integrimit të aktiviteteve sportive në përvojën universitare, duke shprehur besimin se sporti ndihmon në zhvillimin e një kulture të shëndetshme dhe aktive për studentët.
Nga ana tjetër, Rektori Alishani nënvizoi mbështetjen e pakursyer të Universitetit për projektet dhe aktivitetet sportive, duke theksuar se sporti është një pjesë e pandashme e zhvillimit të plotë të studentëve dhe ndikon pozitivisht në performancën akademike dhe mirëqenien e tyre.
Takimi përfundoi me një zotim të përbashkët për të fuqizuar më tej marrëdhëniet dhe për të krijuar më shumë mundësi për studentët, si në fushën e sportit ashtu edhe në aspektin e zhvillimit të karrierës.




