

KUSA dhe Universiteti i Prizrenit nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi
Sot, në ambientet e Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren, u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Universitetit dhe Kosovo United States Alumni – KUSA, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit në fushën e arsimit, zhvillimit profesional dhe ndërkombëtarizimit.
Kjo marrëveshje synon krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik përmes projekteve të përbashkëta, trajnimeve, punëtorive, mentorimit, praktikave profesionale dhe aktiviteteve akademike. Po ashtu, bashkëpunimi do të kontribuojë në zhvillimin e kapaciteteve institucionale, mbështetjen e granteve dhe përfshirjen e alumnive në iniciativa që lidhen me inovacionin, edukimin, drejtësinë, zhvillimin ekonomik dhe përfshirjen sociale.
Memorandumi u nënshkrua nga Rektori i Universitetit, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, dhe Drejtori i KUSA-s, Labinot Salihu, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të bashkëpunimit institucional dhe krijimit të mundësive të reja për komunitetin akademik.








