

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhuron eko-ulëse për Universitetin e Prizrenit
Në kuadër të aktiviteteve të organizuara për Javën Evropiane të Lëvizshmërisë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka dhuruar për Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren një eko-ulëse inovative, e cila funksionon me panel solar dhe mundëson mbushjen e telefonave mobil dhe laptopëve.
Ky donacion synon të kontribuojë në krijimin e një ambienti më të qëndrueshëm, duke ofruar për studentët dhe vizitorët jo vetëm hapësira relaksuese, por edhe mundësi praktike të shfrytëzimit të energjisë së pastër.
Universiteti falënderon Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për këtë iniciativë të gjelbër dhe për mbështetjen e vazhdueshme në avancimin e kushteve për studentët dhe stafin akademik.










