

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhuron Mobilie Urbane të Mençur për Universitetin e Prizrenit
Sot, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) ka dhuruar një Mobilie Urbane të Mençur (Urban Smart Furniture) me energji solare për Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren, si pjesë e aktiviteteve që lidhen me Javën Evropiane të Lëvizshmërisë.
Ky projekt përfaqëson një hap konkret drejt përdorimit të energjisë së pastër dhe inovacionit mjedisor, duke pasuruar ambientin universitar me një element modern, funksional dhe ekologjik, në shërbim të studentëve dhe komunitetit.
Mobilia e mençur, e pajisur me panele diellore, mundëson mbushjen e pajisjeve elektronike dhe ofron një hapësirë bashkëkohore për pushim e socializim në ambient të hapur.
Ky donacion reflekton përkushtimin e përbashkët për zhvillim të qëndrueshëm, përmirësim të infrastrukturës universitare dhe promovim të jetesës së gjelbër në kampus.
Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren falënderon Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për mbështetjen e vazhdueshme dhe për kontributin në krijimin e kushteve më të mira për studentët dhe stafin akademik.













