

Në Universitetin e Prizrenit u diskutua për personat e pagjetur dhe kujtesën kolektive
Në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren u mbajt një aktivitet i dedikuar çështjes së personave të pagjetur, ku përmes shfaqjes së dokumentarit “Plani për zhdukjen e gjurmëve” dhe një debati publik u diskutua për sfidat e zbardhjes së fatit të të zhdukurve dhe rëndësinë e ruajtjes së kujtesës kolektive.
Aktiviteti mblodhi studentë, staf akademik, përfaqësues institucionesh dhe aktivistë të shoqërisë civile, të cilët trajtuan një nga plagët ende të hapura të shoqërisë kosovare. Në këtë kontekst u përmend edhe figura e Ukshin Hotit, intelektualit dhe veprimtarit të njohur, fati i të cilit mbetet ende i pazbardhur që nga zhdukja e tij në vitin 1999.
Ngjarja u hap nga Jeta Xharra, e cila theksoi rëndësinë e trajtimit publik dhe institucional të çështjes së personave të pagjetur si pjesë e përpjekjeve për drejtësi dhe kujtesë historike. Të pranishmëve iu drejtua gjithashtu me një fjalë përshëndetëse rektori i universitetit, Mentor Alishani, si dhe përfaqësuesit e projektit.
Pas shfaqjes së dokumentarit, i cili trajton fatin e personave të pagjetur nga rajoni i Prizrenit dhe rrëfen pritjen e gjatë të familjarëve për të mësuar të vërtetën për më të dashurit e tyre, u zhvillua një debat publik i moderuar nga Jeta Xharra.
Në panel morën pjesë Ilir Morina nga Prokuroria Speciale, Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, Ditor Haliti nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, aktivisti nga Krusha e Madhe, Agron Limani, Aleksandar Rapajic nga ACDC dhe gazetari i KALLXO.com, Kreshnik Gashi.
Diskutimi u fokusua në sfidat institucionale dhe shoqërore në procesin e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, rëndësinë e dokumentimit të kujtesës kolektive dhe nevojën për vazhdimin e angazhimit institucional në kërkim të drejtësisë për familjet që ende presin përgjigje.






























