

Në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren u mbajt seminari për integrimin e Inteligjencës Artificiale në Arsimin e Lartë
Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren ishte nikoqir i seminarit të organizuar nga HERE – Higher Education Reform Experts dhe Zyra Erasmus+ në Prishtinë, me fokus në integrimin e Inteligjencës Artificiale (IA) në Arsimin e Lartë. Ngjarja u hap nga Rektori Prof. Mentor Alishani dhe Koordinatorja e Zyrës Erasmus+, Znj. Mimika Dobroshi, të cilët theksuan rëndësinë e përgatitjes strategjike të institucioneve për epokën e re të IA-së.
Ligjërata kryesore u mbajt nga Prof. Dr. Sejdi Sejdiu, i cili prezantoi një analizë të gjerë dhe sistematike mbi ndikimet e IA-së në arsimin e lartë. Ai trajtoi çështjet kyçe të integritetit akademik, pabarazive digjitale e gjuhësore, mungesës së standardeve të përbashkëta, sfidave të vlerësimit dhe të nevojës për zhvillim të kapaciteteve të stafit. Prof. Sejdiu theksoi se Kosova ka urgjentisht nevojë për një Strategji Kombëtare të Inteligjencës Artificiale për Arsimin e Lartë, që do të harmonizonte politikat, do të mbështeste qasje të barabartë dhe do të siguronte përdorim etik e të përgjegjshëm të IA-së në të gjitha institucionet.
Në vazhdim, Prof. Dr. Ercan Canhasi mbajti një ligjëratë shumë të qartë dhe praktike mbi dallimin midis Inteligjencës Artificiale dhe Modeleve të Mëdha Gjuhësore (LLMs). Ai theksoi se “jo gjithçka që quhet AI është në të vërtetë inteligjencë artificiale”, duke sqaruar se shumica e mjeteve që përdorim sot janë LLMs të bazuara në përpunim gjuhësor. Prof. Canhasi prezantoi mënyrat se si LLM-të mund të përdoren në mësimdhënie dhe mësimnxënie, por gjithashtu paralajmëroi për rreziqet e mundshme nëse përdoren pa mendim kritik. Ai nënvizoi se, pavarësisht avancimeve teknologjike, një pjesë e profesioneve dhe punëve manuale do të mbeten më rezistente ndaj zëvendësimit nga robotët.
Seminari shënon një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një qasjeje të koordinuar dhe vizionare për integrimin e IA-së në arsimin e lartë në Kosovë. Diskutimet dhe rekomandimet e paraqitura ofrojnë bazën për ndërtimin e politikave të qarta, të harmonizuara dhe të qëndrueshme për të ardhmen.








