Në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren u shënua 33-vjetori i Grevës së Minatorëve në Trepçë
Në Universitetin ” Ukshin Hoti” Prizren, të hënën është organizuar manifestim me rastin e 33-vjetorit të Grevës së Minatorëve të Trepçës, ku është shfaqur edhe drama ” Minotauri”, e shkruar nga Prof. Asoc. Dr. Vjollca Dibra. Pjesë e këtij manifestimi kushtuar një ndër ngjarjeve të rëndësishme të historisë sonë më të re, ishin studentë, stafi dhe menaxhmenti i Universitetit. Prof. Asoc. Dr. Samedin Krrabaj, në 33-vjetorin e kësaj ngjarje, theksoi se greva historike e minatorëve në shkurt të vitit 1989, bëri që zëri i protestës së tyre nga thellësia e tokës së Kosovës të kthehet në lëvizje gjithë popullore kundër agresionit të Serbisë ndaj shqiptarëve. Në kuadër të këtij manifestimi, u shfaq edhe drama ” Minotauri” në regji të Albana Krasniqit dhe e shkruar nga prof. Dibra. Ajo tregoi arsyet që ndikuan për ta realizuar këtë projekt i cili flet për kohën e vështirë nëpër të cilën kaluan shqiptarët në fund të viteve të tetëdhjeta, nga represioni i egër sllavo-komunist. Drama e shfaqur premierën e kishte në vitin e kaluar në Teatrin e Kosovës, është ndjekur me kureshtje nga pjesëmarrësit e këtij manifestimi.