Në Universitetin “Ukshin Hoti” u mbajt akademi përkujtimore pas vdekjes së profesorëve, Prof. Dr. Vedat Kiseri dhe Prof. Dr. Yll Zajmi.
Në akademinë përkujtimore u mblodhën stafi i universitetit, familjarë, miq e kolegët e të ndjerëve.
Rektori i Universitetit Prof. Asoc. Dr. Samedin Krrabaj, në fjalën e tij theksoi se vepra e tyre do të jetojë gjatë për Prizrenin dhe Kosovën dhe se të njëjtët vunë themelet e Universitetit të Prizrenit për arsimimin e brezave të rinj.
Rektori rikujtoi se Profesor Vedati ishte dhe anëtar i Bordit të Përkohshëm Qeverisë të Universitetit, i cili ka dhënë një kontribut të madh në vendosjen e hapave të parë të Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren.
“Pa dyshim që lajmi na tronditi edhe neve botën akademike, krahas familjes dhe më të dashurve të dy profesorëve tanë. Për mua, ka qenë nder dhe privilegj që i kam njohur edhe personalisht, gjatë kohës sa kam punuar asistent në Fakultetin e Edukimit. Për ne ata ishin inspirim që të vazhdonim kontributin në arsim dhe formësimin akademik për edukimin e brezave të rinj”, theksoi Rektori Krrabaj.
Prof. Asoc. Dr. Xhafer Beqiraj theksoi se humbja e profesorit Yll është humbje e madhe për të gjithë ata që e kanë njohur.
“Prof. Yll Zajmi ishte përfaqësues i atij brezi të ndritur shkencëtarësh që vunë themelet e letërsisë shqiptare dhe ndër të parët pishtarë të arsimit në Kosovë. Ai punoi për disa dhjetëvjeçarë me radhë pa u lodhur e me përkushtim të jashtëzakonshëm për arsimimin e brezave të rinj si në kohë paqeje, ashtu edhe e në kohë të vështira për arsimin shqip dhe për kombin”, theksoi Profesor Beqiraj.
Ndërkaq për jetën dhe veprën e Prof. Dr. Vedat Kiseri foli Prof. Asoc. Dr. Sermin Turtulla, duke theksuar se profesor Kiseri dha kontribut si studiues e udhëheqës institucional, fillimisht si zëvendësdrejtor e pastaj drejtor i Shkollës së Lartë Pedagogjike, anëtar i pleqësisë në SHLP, dekan i Fakultetit të Edukimit – dega në Prizren, shef i Degës së Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në Fakultetin e Filologjisë, dhe së fundi anëtar i Këshillit Drejtues në Universitetin e Prizrenit.
“Me një përvojë mbresëlënëse prej më shumë se 40 vjet në arsim, prof.Vedat Kiseri ishte shëmbëlltyrë i të qenit profesor e pedagog nga i cili kam mësuar shumë. Është i dukshëm kontributi që dha në ngritjen e vlerës së mësimdhënies dhe në promovimin e gjuhës angleze te brezat e ardhshëm. Veprimtaria e tij akademike dhe vitaliteti i tij intelektual e ndërkombëtarizuan rininë shqiptare dhe hapën dyert botës së zhvilluar evropiane e botërore”, theksoi Turtulla.
Ndërkaq ish-profesoresha e Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prizren, Besa Pupa, ka kujtuar veprën e profesor Vedat Kiserit për të cilin tha se ka mësuar shumë dhe se meritat e profesorët Kiserit do të mbeten ne themelet e arsimit për gjeneratat e reja.
“Prof. Vedat Kiseri do të mbahet ndër mend si njëri prej themeluesve të arsimit të lartë në rajonin e Prizrenit dhe në rrafshin e Dukagjinit. Gjatë jetës së tij të begatshme intelektuale dhe akademike arriti të nxisë ndjenjen e dashurisë për gjuhën dhe letërsinë angleze tek qindra e mijëra djem e vajza shqiptare, të cilët tani përhapin flamurin ndërkombëtar të dijes në të gjitha trevat shqiptare” , theksoi Pupa.
Veprën dhe jetën e Vedat Kiserit dhe Yll Zajmit e kujtuan edhe familjarët e tyre.
Më 31 gusht të vitit 2022 ka vdekur Prof.Dr Vedat Kiseri kurse më 11 shtator ka vdekur Prof.Dr Yll Zajmi.