

Organizohet punëtoria e dytë mbi Komunikimin Ndërkulturor në kuadër të projektit “Bridging Cultures” përkrahur nga programi SHER dhe Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren
Sot vazhduan aktivitetet e projektit “Bridging Cultures: Intercultural Communication at University ‘Ukshin Hoti’ Prizren in Kosovo”, të mbështetur nga programi SHER, duke organizuar workshopin e dytë me studentë të universitetit.
Workshopi, i fokusuar në temën “Intercultural Communication: Understanding Ourselves and Others”, syntoi të thellojë aftësitë e studentëve për të komunikuar në mënyrë efektive në një ambient të shumëllojshëm kulturor dhe gjuhësor. Aktivitetet u zhvilluan përmes metodave interaktive, punës në grup dhe zgjidhjes së situatave të keqkuptimit kulturor, duke nxitur reflektim personal dhe bashkëpunim ndërmjet pjesëmarrësve.
Pjesë e workshopit ishte edhe analiza e stilit personal të komunikimit, aktiviteti “Kultura në një fjalë”, si dhe puna në grupe për të identifikuar dhe propozuar zgjidhje për sfida të zakonshme të komunikimit ndërkulturor. Studentët u angazhuan në mënyrë aktive dhe krijuan postera prezantues, të cilët reflektonin perceptimet dhe përvojat e tyre individuale.
Universiteti i Prizrenit mbetet i përkushtuar ndaj promovimit të një mjedisi arsimor gjithëpërfshirës dhe mbështetjes së të rinjve në zhvillimin e kompetencave të komunikimit ndërkulturor, të domosdoshme për suksesin e tyre akademik dhe profesional.






