

Paneli “Hapësira të sigurta në Universitete – Du Studime Pa Ngacmime” u mbajt në UPZ në bashkëpunim me Artpolis dhe UNFPA Kosovë
Me datë 10 dhjetor 2025, në Amfiteatrin e Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren u mbajt paneli i diskutimit “Hapësira të sigurta në Universitete – Du Studime Pa Ngacmime”, organizuar nga Artpolis, në bashkëpunim me Universitetin e Prizrenit, dhe me përkrahjen e UNFPA Kosovë.
Ky panel u realizua në kuadër të aktiviteteve sensibilizuese kundër ngacmimeve seksuale, me qëllimin e krijimit të një mjedisi më të sigurt, më gjithëpërfshirës dhe më dinjitoz për studentët dhe stafin akademik.
Paneliste në këtë sesion diskutimi ishin:
- Prof. Ass. Dr. Adelina Rakaj, Prorektore për Buxhet, Financë dhe Infrastrukturë; bashkëhartuese e Rregullores për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Ngacmimet Seksuale në UPZ
- Dr. Ariana Qosaj-Mustafa, aktiviste dhe juriste
- Prof. Asoc. Dr. Vjollca Dibra, Dekane e Fakultetit të Filologjisë
- Znj. Tringa Kasemi, udhëheqëse e Qendrës për Barazi dhe Drejtësi
- Znj. Liridona Osmanaj, aktiviste dhe themeluese e platformës “Hajde Folim”
Moderatore e panelit ishte znj. Venera Ismaili, Menaxhere e projekteve në Artpolis.
Diskutimi u fokusua në sfidat që studentët përballen në hapësirat universitare, mënyrat e identifikimit dhe raportimit të rasteve të ngacmimit, rëndësinë e ndërgjegjësimit, si dhe detyrimet ligjore dhe institucionale të UPZ-së në këtë fushë.
Prorektorja Prof. Ass. Dr. Adelina Rakaj theksoi se Rregullorja për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Ngacmimet Seksuale është një mekanizëm i fuqishëm institucional që garanton mbrojtje, konfidencialitet dhe procedura të qarta për secilin rast. Zbatimi i saj i plotë është detyrim dhe prioritet i Universitetit.”
Dekania e Fakultetit të Filologjisë, Prof. Asoc. Dr. Vjollca Dibra, theksoi se universiteti duhet të jetë vendi më i sigurt për studentët tanë. Asnjë formë e ngacmimit nuk është e tolerueshme dhe çdo student ka të drejtë të ndihet i mbrojtur dhe i respektuar. Raportimi nuk është turp – është guxim.
Paneli theksoi domosdoshmërinë e kulturës së raportimit, mbështetjes së viktimave dhe përfshirjes së stafit akademik në parandalimin e çdo forme ngacmimi dhe diskriminimi.
Fakulteti i Filologjisë dhe Universiteti “Ukshin Hoti” i shprehin falënderim të veçantë Artpolis-it për bashkëpunimin dhe përzgjedhjen e universitetit si institucion ku u përmbyll fushata sensibilizuese kundër ngacmimeve seksuale.














