Përurohet objekti i rinovuar i Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë në Universitetin "Ukshin Hoti" Prizren
Sot, në një ceremoni festuese, u bë përurimi objektit të rinovuar të Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë në kuadër të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren. Prerjen e shiritit e bënë Rektori i Universitetit, Prof. Asoc. Dr. Mentor F. Alishani, Kryeministri Albin Kurti, Zv. Kryeministrja Emilija Redžepi dhe Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.
Rektori Alishani, theksoi se kjo ngjarje është një shenjë e angazhimit të vazhdueshëm të universitetit në ofrimin e një mjedisi të përmirësuar mësimor dhe studimor për studentët dhe stafin, të cilat përpjekje kanë mbështetjen institucionale. Për këtë ai falënderoi Kryeministrin Kurti dhe Ministren Nagavci.
Në fjalimin e tij, Kryeministri Albin Kurti shprehu mbështetjen e qeverisë për zhvillimin e arsimit në Prizrenin, e siç u shpreh ai, të historisë, kulturës, arsimit e shkencës, dhe theksoi rëndësinë e investimeve në fushën e arsimit për të siguruar një të ardhme më të ndritur për brezat e ardhshëm.
“Universiteti i Prizrenit, pra universiteti juaj dhe ky i yni që na ka bërë bashkë sot këtu, e mbanë emrin: Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti”. Emrin e profesorit të filozofisë dhe të aktivistit të shquar me origjinë prej këtyre anëve, Ukshin Hotit, të cilin ne vërtetë nuk e kemi mes nesh më fizikisht që nga 16 maji i vitit 1999, kur policia serbe e zhduku nga Burgu i Dubravës, por frymën e tij politike, patriotike, të artikuluar edhe në tekst të shkruar edhe në punë e në të vepruar, e kemi më së miri të fiksuar në vetë emrin e Universitetit të Prizrenit. Sepse universiteti është hapësira ku përbashkohen edhe partikularja edhe universalja dhe ku secili mund të përfshihet te tërësia, duke kërkuar rolin e tij në shoqëri dhe duke i kontribuar sferës publike e ngritjes profesionale. Në rrallësinë e prodhimit të mendimit të kulluar politik teorik, të ndjekur nga praktika të aktivizmit dhe angazhimit, raste dhe figura sikur ajo e Ukshin Hotit janë vërtetë të duhurit për t’u ndjekur. E për të studiuar dhe ligjëruar, për të kërkuar dhe shkruar, për të debatuar, për t’u informuar, e për t’u formësuar, përveç kushteve epistemologjike, janë të nevojshme edhe disa kushte fizike, sikur këto që i përuruam sot këtu, sikur kjo ndërtesë me gjithë juve e neve, me gjithë çfarë ajo ka brenda.”, theksoi Kryeministri Kurti.
Ministrja e MASHTI-it, Arberie Nagavci, në fjalën e saj, u ndal në përpjekjet e ministrisë për të rritur standardet dhe për të përmirësuar infrastrukturën e institucioneve arsimore në vend dhe përkrahjen e studentëve të fushave deficitarë, nga komunitetet dhe me kushte të vështira sociale.
Ky investim i ri në Universitetin “Ukshin Hoti” thekson përkushtimin e vazhdueshëm të institucioneve qeveritare për të avancuar arsimin në Prizren dhe për të siguruar një mjedis të përshtatshëm për zhvillimin e njohurive dhe aftësive të studentëve.