

Poetry & Jazz Night” në kuadër të Ditës Botërore të Poezisë në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren
Mbrëmë, në ambientet e Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren, u mbajt manifestimi artistik “Poetry & Jazz Night”, në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Poezisë, nën organizimin e Fakultetit të Filologjisë.
Ky aktivitet solli një atmosferë të veçantë artistike, ku fjala poetike u ndërthur me muzikën dhe interpretimin skenik, duke krijuar një hapësirë të gjallë për shprehjen e talentit të studentëve.
Në kuadër të këtij manifestimi u ndanë edhe çmimet për krijimet më të mira poetike:
- Çmimi i parë: Diellza Hajdari, për poezinë “Shtegtoj”
- Çmimi i dytë: Saranda Gavrani, për poezinë “Dashuria ime e fshehur”
- Çmimi i tretë: Muhamet Musaj, për poezinë “Rruga e lirisë”
Ndërsa çmimi për interpretimin më të mirë poetik iu nda Sanije Parallangaj për interpretimin e poezisë “Demokleu”.
Gjatë mbrëmjes u bë edhe promovimi i librit “Gjama e heshtur”, me poezi të ish-studentes së Fakultetit të Filologjisë, Gentiana Pervizaj, duke shënuar kështu një moment të rëndësishëm për mbështetjen e krijimtarisë së re letrare.
Në përmbyllje të aktivitetit, Dekanja e Fakultetit të Filologjisë, Prof. Assoc. Dr. Vjollca Dibra, ndau mirënjohje për kontributin e dhënë në organizimin dhe realizimin e këtij manifestimi për:
- Shtëpinë botuese “Fidani”, Prizren, për përgatitjen e antologjisë së studentëve;
- Baletin “PriDance Fest”, Prizren, për angazhimin artistik;
- Bibliotekën e qytetit në Prizren, për mbështetjen me libra dhuratë për studentët e shpërblyer.
Një mirënjohje e veçantë iu nda edhe Douglas Upton, vullnetar i Korpusit të Paqes, për kontributin e tij të çmuar gjatë muajve të angazhimit në Fakultetin e Filologjisë. Me profesionalizmin dhe përkushtimin e tij, ai ka dhënë një ndihmë të rëndësishme në zhvillimin akademik dhe institucional të fakultetit.
Ky aktivitet dëshmoi edhe një herë rolin e rëndësishëm të Fakultetit të Filologjisë në promovimin e kulturës letrare dhe në mbështetjen e zërit krijues të studentëve.






















