

Prezantohen bursat inxhinierike të Tajvanit dhe mundësitë që studentët e Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren mund të përfitojnë sivjet
Në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren u mbajt një takim me zëvendësdrejtoreshën e Zyrës Përfaqësuese të Taipeit në Budapest, Hungari, znj. Anna Y. C. Ho. Takimi u udhëhoq nga prorektori për mësimdhënie, çështje të studentëve dhe kërkime shkencore, prof. ass. dr. Luan Vardari, si dhe nga dekani i FSHK-së, prof. asoc. dr. Arsim Susuri, së bashku me ass. dr. sc. Endrit Fetahi.
Gjatë takimit u dhanë detaje të zgjeruara për bursat inxhinierike që ofrohen nga Tajvani, si dhe për mundësitë e ndërlidhjes dhe bashkëpunimit me universitetet tajvaneze.
Tajvani është një ndër prodhuesit më të mëdhenj të gjysmëpërçuesve, të cilët përbëjnë materialin bazë për ndërtimin e mikroçipave, pa të cilët nuk mund të mendohet përditshmëria moderne.
Prezantimin e programit të bursave e bëri znj. Anna Y. C. Ho, e cila theksoi se për studentët përfitues mbulohen të gjitha shpenzimet, ndërsa afati i fundit për aplikim është 15 mars 2026. Ajo gjithashtu shpjegoi procedurat e aplikimit dhe dokumentacionin e nevojshëm për këto bursa.
Znj. Anna Y. C. Ho inkurajoi menaxhmentin e Universitetit që të shfrytëzojë këtë mundësi të veçantë për informim dhe përfshirje në programet tajvaneze të bursave dhe shkëmbimit, veçanërisht në fushat e inxhinierisë, por edhe në disiplina të tjera. Ajo theksoi se Tajvani është një ndër vendet ku inovacioni përbën shtyllën kryesore të zhvillimit industrial, duke nënvizuar se rreth 90% e çipave më të avancuar në botë prodhohen pikërisht atje.
Nga ana tjetër, prorektori Prof. Ass. Dr. Luan Vardari dhe dekani Prof. Asoc. Dr. Arsim Susuri theksuan gatishmërinë e Universitetit, e në veçanti të FSHK-së, për të shfrytëzuar këtë mundësi në dobi të studentëve, si dhe për të zgjeruar bashkëpunimet potenciale me universitete në Tajvan në dobi edhe të stafit akademik.
Znj. Anna Y. C. Ho premtoi mbështetje në procesin e krijimit të bashkëpunimeve dhe nënshkrimit të marrëveshjeve të mirëkuptimit me universitete të ndryshme në Tajvan.







