Prof. Asoc. Dr. Arif Murrja zgjidhet Kryesues i Këshillit Drejtues të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren
Në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, të enjten është bërë plotësimi i Këshillit Drejtues me tre anëtarë të rinj të emëruar paraprakisht nga MASHT, dhe një anëtar i zgjedhur nga Senati i Universitetit. Mbledhjen e kryesoi Prof. Asoc. Dr. Drita Krasniqi, si anëtarja më e vjetër e Këshillit Drejtues, derisa është bërë verifikimi i mandateve dhe zgjedhja e kryesuesit dhe zv.kryesuesit. Me votim unanim nga të gjithë anëtarët e KD-së, Prof. Asoc. Dr. Arif Murrja është zgjedhur Kryesues, Dr. Sc. Sevim Mustafa zv.kryesuese, ndërkaq, anëtarët e rinj tjerë që dhanë betimin janë: Msc. Arijana Gashi-Kadolli dhe Prof. ass. Dr. Sadik Maloku.
Kryesuesi i Këshillit Drejtues, Prof. Asoc. Dr. Arif Murrja, i falënderoi anëtarët e Këshillit Drejtues për besimin e dhënë dhe u zotua se do të punojë me nder dhe përkushtim për të zhvilluar këtë universitet, dhe siç u shpreh ai “për të merituar ky universitet, emrin e atdhetarit dhe filozofit Ukshin Hoti”, duke shtuar se nëse do ketë bashkëpunim këtë universitet do ta bëjnë bashkërisht lider në rajon. Po ashtu ai theksoi se investimi në arsimin e lartë është investim afatgjatë.
Rektori i Universitetit Prof. Asoc. Dr. Ismet Temaj, i uroi anëtarët e rinj, kryesuesin dhe zv,kryesuesin për zgjedhjen në pozitat përkatëse, duke ju dëshiruar suksese dhe të gjitha të mirat. Ai theksoi se do të tregohet bashkëpunues me strukturat reja të Këshillit Drejtues duke uruar që të shtohet dinamika e punëve në të mirë të Universitetit.
Ndërkaq, Prof. Ass. Dr. Sadik Maloku me këtë rasti falënderoi anëtarët e Senatit për besimin që i kanë dhënë që të jetë anëtar i Këshillit Drejtues, po ashtu falënderoi Rektorin Temaj për rolin konstruktiv gjatë procesit zgjedhor.