Prof. Asoc. Dr. Samedin Krrabaj zgjedhet u.d. Rektor në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren
Prof. Asoc. Dr. Samedin Krrabaj është zgjedhur u. d. Rektor në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren. Vendimi është marrë me votim unanim të anëtarëve të pranishëm të Këshillit Drejtues, gjashtë nga shtatë anëtarë, në mbledhjen e mbajtur më 6 Shtator 2021.
Kryesuesi i Këshillit Drejtues Prof. Asoc. Dr. Arif Murrja me këtë rast e uroi u.d. Rektorin për detyrën e re, duke i dëshiruar shëndet dhe suksese. Ai e siguroi se do të ketë mbështetjen e pa rezervë të Këshillit Drejtues që të punojë në të mirë të Universitetit.
U.d. Rektori Krrabaj i falënderoi për besimin e dhënë të gjithë anëtarët e KD-së dhe u zotua se do të punojë me nder dhe përkushtim për të zhvilluar këtë Universitet. Në situatën në të cilën gjendet Universiteti, ai theksoi se këtë detyrë nuk e sheh si privilegj, por si përgjegjësi.