

Programi i USAID-it Drejtësia Komerciale dhe Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren kanë nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi
Programi i USAID-it Drejtësia Komerciale dhe Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi, duke formalizuar një partneritet të rëndësishëm që synon avancimin e edukimit dhe praktikave ligjore në fushën e drejtësisë komerciale në Kosovë. Ky memorandum u nënshkrua nga Drejtori i Programit të USAID-it Drejtësia Komerciale, z. Christopher Thompson, Rektori i Universitetit Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani dhe Prodekani i Fakultetit Juridik të këtij universiteti, Prof. Asoc. Dr. Halim Bajraktari ku ishin prezent edhe Prorektorja Prof. Ass. Dr. Adelina Rakaj dhe shefi për mësim Ass. PhD. Can. Milot Krasniqi.
Ky bashkëpunim do të kontribuojë në zhvillimin e programeve arsimore, trajnimeve profesionale dhe aktiviteteve praktike për studentët e Fakultetit Juridik në Universitetin e Prizrenit. Memorandumi parasheh organizimin e punëtorive, trajnimeve dhe projekteve të përbashkëta që do të ndihmojnë studentët të përfitojnë nga përvoja praktike dhe të avancojnë aftësitë e tyre profesionale në fushën e drejtësisë komerciale.
Me këtë marrëveshje, USAID dhe Universiteti i Prizrenit synojnë të fuqizojnë brezat e rinj të profesionistëve të drejtësisë dhe të mbështesin krijimin e një sistemi ligjor më të fuqishëm dhe transparent në Kosovë.




