

Promovimi i romanit Brenga i Pashko R. Camajt në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren
Në kuadër të aktiviteteve akademike dhe kulturore të Fakultetit të Filologjisë, Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren pati kënaqësinë të mirëpresë shkrimtarin Pashko R. Camaj, autorin e romanit Brenga, në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese Onufri.
Vizita nisi me një takim zyrtar në zyrën e Rektorit, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, i cili i mirëpriti mysafirët dhe shprehu vlerësimin për veprën letrare dhe për rolin e letërsisë në ruajtjen e kujtesës historike dhe kulturore. Në këtë takim morën pjesë autori Pashko R. Camaj, Bujar Hudhri, përfaqësues i Shtëpisë Botuese Onufri, si dhe bashkëpunëtorë të autorit. Nga Universiteti “Ukshin Hoti” ishin të pranishëm Rektori Prof. Assoc. Dr. Mentor Alishani, Sekretari i Universitetit, z. Nexhmedin Krasniqi, si dhe Dekanja e Fakultetit të Filologjisë, Prof. Assoc. Dr. Vjollca Dibra.
Më pas, aktiviteti vazhdoi në ambientet e Fakultetit të Filologjisë, ku u organizua promovimi i romanit Brenga dhe një bashkëbisedim i hapur e shumë frytdhënës mes autorit dhe studentëve. Pas një fjale të shkurtër hyrëse për librin nga prof. Ilire Zajmi, u zhvillua një diskutim i ngrohtë me studentët e tre departamenteve: Gjuhë dhe Letërsi Angleze, Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, Gjuhë dhe Letërsi Gjermane.
Në këtë bashkëbisedim, studentët si brez i ri që nuk e ka përjetuar diktaturën – u njohën përmes letërsisë me ngjarje, dilema morale dhe përvoja njerëzore të një periudhe të errët historike, të trajtuara me ndjeshmëri të veçantë në romanin Brenga.
Ngjarja u pasurua edhe me pika artistike që krijuan një atmosferë të veçantë emocionale:
- Studenti Dorart Kryeziu interpretoi me kitarë instrumentalen e këngës “Baresha”,
- Djellza Perteshi lexoi poezinë “Republika” të Bes Camajt,
- ndërsa Dren Braha interpretoi letrën e Markut drejtuar Toninit, fragment kyç nga romani, e cila preku thellë publikun e pranishëm.
Si vazhdimësi e këtij bashkëpunimi të suksesshëm kulturor dhe akademik, u shpreh gatishmëria për lidhjen e një marrëveshjeje bashkëpunimi ndërmjet Federatës Panshqiptare “Vatra” dhe Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren, me synim realizimin e projekteve të përbashkëta në fusha të ndryshme akademike, kulturore dhe shkencore.
Fakulteti i Filologjisë mbetet i përkushtuar në krijimin e hapësirave të tilla dialogu, ku letërsia, kujtesa historike dhe edukimi i brezit të ri ndërthuren në mënyrë kuptimplotë.




















