

Promovohet libri “Vendimmarrja Menaxheriale” i Prof. Asoc. Dr. Demir Lima në Fakultetin Ekonomik të UPZ-së
Më 3 qershor 2025, në Amfiteatrin e Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, u mbajt ceremonia promovuese e librit më të ri akademik me titull “Vendimmarrja Menaxheriale”, nga autori Prof. Asoc. Dr. Demir Lima.
Libri përbën një kontribut të rëndësishëm në fushën e menaxhmentit dhe lidershipit organizacional, duke trajtuar aspekte teorike dhe praktike të procesit të vendimmarrjes në një ambient dinamik të biznesit dhe administrimit.
Në këtë ngjarje morën pjesë personalitete të shquara akademike. Fjalë përshëndetëse dhe vlerësuese për veprën dhanë Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, si dhe Rektorja e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, Prof. Dr. Elvira Fetahu.
Për përmbajtjen dhe rëndësinë e librit referuan edhe recensentët Prof. Asoc. Dr. Hamdi Hoti dhe Prof. Asoc. Dr. Artan Nimani, të cilët theksuan qasjen moderne dhe aplikative që sjell kjo vepër për studentët dhe profesionistët në fushën e ekonomisë dhe menaxhmentit.
Promovimi u karakterizua nga një atmosferë akademike dhe bashkëbiseduese, duke nënvizuar rëndësinë e prodhimit të literaturës vendore me standarde të larta shkencore.

















