Punëtori për Mësimnxënien me Përvojë, me stafin e Degës së Bujqësisë nga Universitetet Publike në Kosovë
Gjatë javës së datës 12 Qershor 2023, Aktiviteti i mbështetur nga USAID “Partneritetet e Sektorit Privat për Forcimin e Arsimit të Lartë”, me sukses organizoi një seri të punëtorive trajnuese shumë informuese, me titull “Stazhet e Strukturuara të Punës në Bujqësi.” Këto punëtori ofruan njohuri dhe informata të vlefshme për procedurat e menaxhimit të stazheve të punës, përmes prezantimeve nga Departamenti i respektuar i Shkencave Shtazore në Universitetin Shtetëror të Iowa (USI). Ngjarja u mbajt në universitetet e Prishtinës, Prizrenit dhe Pejës, dhe u udhëhoq me zotësi nga Christen Burgett, Profesoreshë e Asocuar e Arsimit dhe Drejtoreshë e Programit të Stazheve për Departamentin e Shkencave Shtazore në USI. Me asistim nga Dr. Curtis Youngs, Profesor i Programit të Shkencave Bujqësore në USI, Christen ofroi një pako gjithëpërfshirëse të trajnimit, duke lënë pjesëmarrësit mirë të informuar dhe të angazhuar gjallërisht në diskutime.
Pjesëmarrësit përbënin profesorë, koordinatorë të mësimnxënies me përvojë, dhe staf administrativ nga Fakultetet e Bujqësisë të Universiteteve partnere. Prezantimet gjatë punëtorive ofruan shpjegime gjithëpërfshirëse se si Universiteti Shtetëror i Iowa menaxhon stazhet në bujqësi, duke mbuluar fazat e ndryshme nga regjistrimi i studentëve në kurse stazhi, deri tek kreditët e fituar, hartimi i marrëveshjeve me kompanitë, monitorimi, dokumentimi, promovimi dhe vlerësimi i përvojave të stazhit.
Punëtoritë u ndanë në katër sesione: “Si dhe Pse-të e Stazheve”, “Zhvillimi i një Programi të Stazheve”, “Promovimi i Stazheve” dhe “Zhvillimi i një Kursi për Stazh me Kredit”, të cilat përfshinë prezantim të një rasti studimor mbi Stazhin e Shkencave Shtazore në USI – Përvojë e Notuar”. Prezantimet ishin interaktive, duke inkurajuar pjesëmarrësit që të ndajnë mendimet e tyre mbi atë se si mund të adaptohen praktikat e USI për universitetet e tyre.
Pjesëmarrësit shprehën entuziazmin e tyre rreth punëtorive informative dhe inspiruese, të cilat kanë zgjeruar njohuritë e tyre mbi sistemet dhe procedurat e dobishme për përmirësimin e mësimnxënies me përvojë për studentët. Ata/ato i konsiderojnë punëtoritë si një mundësi për të forcuar përpjekjet e universiteteve të tyre në ofrimin e studentëve me mundësi më të mira, më të strukturuara dhe me strategjike të stazheve të punës në bujqësi.
“Punëtoria ishte jashtëzakonisht informative, dhe ka thelluar kuptimin tonë të praktikave që janë dëshmuar se përmirësojnë mundësitë për stazhe për studentët në Fakultetin tonë të Shkencave të Jetës dhe Ambientit në Universitetin e Prizrenit. Të qenit dëshmitar të punës me shumë ndikim të profesorëve dhe koordinatorëve të mësimnxënies me përvojë në Universitetin Shtetëror të Ioëa, ishte vertëtë inspiruese. Edhe pse Kosovës i mungon një kulturë e ngjashme e mësimnxënies me përvojë, ne jemi të përkushtuar të shtyjmë ndryshimin përpara dhe të krijojmë bashkëpunime më të mëdha me bizneset. Objektivi ynë është krijimi i stazheve që ofrojnë përfitime të mëdha si për studentët tanë, ashtu edhe për bizneset.” – Albana Milaimi, Dekane e Fakultetin të Shkencave të Jetës dhe Ambientit.
Pjesëmarrësit me padurim presin aktivitetet dhe punëtoritë në vijim, si pjesë e projektit katër vjeçar, qëllimi i të cilit është të mbështes përpjekjet e tyre në ofrimin dhe menaxhimin e mundësive më të mira për stazh për studentët e tyre. Në një treg pune i cili pëson ndryshime të shpejta, ata/ato e njohin rëndësinë gjithmonë në rritje të mësimnxënies me përvojë, e cila ofron shtigje të numërta të karrierës të cilat studentët mund t’i zgjedhin. Pjesëmarrësit u pajtuan që prioritizimi i qasjes së studentëve në mundësi të stazheve të cilësisë së lartë është kyçe për t’u ndihmuar atyre të fitojnë qartësi në aspiratat e tyre profesionale, dhe të krijojnë marrëdhënie të vlefshme me punëdhënës potencial në industri.