Rektori Alishani merr pjesë në punëtorinë përmbyllëse të Projektit QUADIC
Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani po merr pjesë në punëtorinë përmbyllëse dy-ditore të projektit: “Zhvillimi cilësor i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe menaxhimit të projekteve” – QUADIC. Punëtoria do të zhvillojë punimet më 5 dhe 6 qershor 2023, në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku do të marrin pjesë universitetet partnere dhe të Zyrës së Erasmus+ në Kosovë.
Në këtë punëtori Rektori Alishani është i shoqëruar nga menaxheri i projektit Prof. Asoc. Dr. Sejdi Sejdiu, udhëheqësi i Zyrës për Marrëdhënie me Jashtë z. Përparim Avdullahu dhe Ass. Dr. Dorinë Rakaj, mësimdhënëse në Fakultetin e Filologjisë.
Në fjalën e tij, Rektori Alishani theksoi se ky projekt ka forcuar peizazhin e arsimit të lartë në Kosovë dhe Shqipëri dhe ka ushqyer frymën e bashkëpunimit, inovacionit dhe angazhimit ndërkombëtar midis të gjithë partnerëve të konsorciumit. “Si përfundim, shpreh mirënjohjen time të përzemërt për të gjithë partnerët e konsorciumit, koordinatorët dhe menaxherët e projektit, organet financuese dhe palët tjera që kanë mbështetur dhe kontribuar në realizimin e këtij projekti”, theksoi në fjalën e tij Rektori Alishani.
Qëllimi i këtij projekti është përmirësimi i cilësisë së Arsimit të Lartë në Kosovë dhe Shqipëri duke krijuar kapacitete institucionale për marrëdhënie ndërkombëtare dhe duke funksionalizuar zyrat përkatëse në të gjithë partnerët e konsorciumit në Kosovë dhe Shqipëri.
Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren është pjesë e këtij projekti të financuar nga Komisioni Evropian në kuadër të Erasmus+.