

Rektori Alishani pret në takim përfaqësuesit e Shoqatës së Pensionistëve të TMK-FSK – Diskutohet bashkëpunimi për trajnime për studentët
Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, priti sot në takim z. Bajram Bekteshi, Kryetar i Shoqatës së Pensionistëve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (TMK-FSK), së bashku me nënkryetarin e shoqatës, Prof. Haxhi Ferati.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi rreth mundësive të bashkëpunimit ndërinstitucional në funksion të avancimit të praktikës profesionale për studentët e Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit.
Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e ofrimit të trajnimeve fushore për studentët, duke përfshirë aftësi praktike në orientim në terren, edukim në natyrë, menaxhim të situatave emergjente dhe teknika të tjera të dobishme, të udhëhequra nga ish-ushtarakë dhe trajnerë të licencuar.
Rektori Alishani mirëpriti iniciativën, duke theksuar se bashkëpunime të tilla janë shumë të rëndësishme për pasurimin e përvojës praktike të studentëve dhe për ndërlidhjen e tyre me profesionistë të fushave të sigurisë dhe mbrojtjes mjedisore. Ai gjithashtu shprehu gatishmërinë e universitetit për të institucionalizuar këtë bashkëpunim përmes marrëveshjeve konkrete.
Përfaqësuesit e Shoqatës u shprehën të gatshëm të kontribuojnë me përvojën dhe kapacitetet e tyre për të ndihmuar në edukimin dhe përgatitjen praktike të brezit të ri profesional.
Takimi përfundoi me pajtueshmëri të ndërsjellë për të vazhduar hapat konkretë në drejtim të planifikimit dhe implementimit të aktiviteteve të përbashkëta në të ardhmen e afërt.








