Rektori Alishani priti në takim përfaqësuesit e Projektit HERAS+
Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani të enjten ka pritur në takim përfaqësuesit e Projektit HERAS+, udhëheqësin e ekipit Aqim Emurli, koordinatorin për arsimin e lartë Nehat Dervishin dhe menaxheren e zyrës Donjeta Ibra. Ndërkaq nga ana e Universitetit pjesë e takimit ishin edhe Sekretari i Përgjithshëm Nexhmedin Krasniqi dhe udhëheqësi i Zyrës së Projekteve Tauland Thaçi.
Fillimisht përfaqësuesit e projektit HERAS+ e uruan Rektorin Alishani për detyrën e re, duke i dëshiruar suksese.
Në takim është diskutuar për vazhdimin e bashkëpunimit të deritanishëm dhe për mundësinë që ky bashkëpunim të ngritët në nivel edhe më të lartë.
Rektori Alishani i falënderoi për mbështetjen e gjertanishme për Universitetin nga Projekti HERAS+, pasi që theksoi, se siç është njoftuar, shumë aspekte të zhvillimit institucional janë adresuar në bashkëpunim me ekipin e këtij projekti.
Ndërkaq, udhëheqësi i ekipit Aqim Emurli theksoi se ata do të vazhdojnë ta mbështesin zhvillimin e Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren. Në këtë kuadër, rishikimi i Statutit të Universitetit, Draftimi i Planit Strategjik të ri të institucionit, krahas mbështetjes për zhvillimin e përgjithshëm, u përmendën si mundësi ku mund të vazhdohet bashkëpunimi.
Projekti HERAS+ financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim me fondet e Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim, dhe bashkëfinancohet nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit. HERAS+ zbatohet nga një konsorcium austriak me shumë përvojë i përfaqësuar nga World University Service Austria (WUS Austria) si partneri kryesor, dhe duke përfshirë Qendrën për Inovacionin Social (ZSI) dhe Agjencinë Austriake për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Lëvizshmërisë në Arsim, Shkencë dhe Kërkim (OeAD).