Rektori Alishani priti në takim z. John Hanley, Këshilltar Ligjor rezident në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë
Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, të martën takoi z. John Hanley, Këshilltar Ligjor Rezident, Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, Zyra e OPDAT-it, Ambasada në Kosovë dhe znj. Benina Kusari, Eksperte e Lartë Ligjore në këtë ambasadë.
Rektori Alishani, fillimisht i falënderoi ata për vizitën dhe për gatishmërinë e treguar për bashkëpunim në organizimin e këtij moduli të rëndësishëm për studentët e Fakultetit Juridik. Ndërkohë, ai i informoi ata me situatën e përgjithshme në universitet, skemën programore që ofrohet dhe planet për përmirësimin e infrastrukturës së Fakultetit Juridik dhe hartimin e një programi të nivelit Master, i cili është në zhvillim e sipër.
Tema kryesore e takimit ishte bashkëpunimi në mbajtjen e kursit të specializuar “Matja e dënimit”, i cili do të ofrohet “pro bono” për studentët e vitit të IV të Fakultetit Juridik të Universitetit dhe për ata që janë diplomuar dhe janë të interesuar për të ndjekur këtë kurs. Përmes këtij kursi, studentët do të kenë mundësi të avancojnë njohuritë e tyre lidhur me seancën e dënimit, rëndësinë e zhvillimit të kësaj seance, politikën penale si dhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese gjatë caktimit të dënimit. Ky kurs i specializuar do të mbahet nga profesorët e Fakultetit Juridik: Prof.Asoc.Dr. Armend Podvorica, Prof. Assoc.Dr. Enver Buçaj dhe Prof.Ass.Dr. Adelina Rakaj. Pas përfundimit të këtij kursi, studentët do të certifikohen.
Në takim morën pjesë edhe Prof. Asoc. Dr. Serdan Kervan, Prorektore për bashkëpunim ndërkombëtar dhe ngritje të cilësisë, Prof. Ass. Dr. Adelina Rakaj, Prorektore për buxhet, financa dhe infrastrukturë dhe Prof. Asoc. Dr. Armend Podvorica profesor në Fakultetin Juridik.
Prorektorja Rakaj, e cila është edhe profesore në Fakultetin Juridik, theksoi se Universiteti ka të drejtë të ofrojë module të kësaj natyre dhe se procedurat përkatëse për mbajtjen e kursit tashmë janë kaluar nga Këshilli i Fakultetit Juridik dhe Senati i Universitetit. Ajo e vlerësoi bashkëpunimin në këtë kuadër si një nga iniciativat më të mira dhe në të njëjtën kohë shprehu falënderimet për mbështetjen e treguar nga Ambasada Amerikane.
Prof.Asoc. Dr. Armend Podvorica fillimisht falënderoi Ambasadën Amerikane dhe Departamentin e Drejtësisë për ndihmën që po japin në këtë kontekst. Ai ka theksuar se Fakulteti Juridik në Universitetin “Ukshin Hoti” është i vetmi fakultet juridik në Kosovë që ka një program të përgjithshëm Juridik, krahasuar me fakultetet juridike që ofrohen nga universitetet tjera në vend. Ai shtoi se këtë temë e kanë diskutuar me kolegët e tyre mësimdhënës në katedrën penale në Fakultet dhe se mbajtjen e kurseve të tilla për studentët e kanë vlerësuar si shumë të rëndësishme.
Në fund të vizitës u vizitua Fakulteti Juridik dhe Gjykatorja e këtij fakulteti.