

Rektori Alishani, së bashku me prorektorët Vardari, Kervan dhe Rakaj, morën pjesë në fillimin e projektit SHER
Rektori Alishani, së bashku me prorektorët Vardari, Kervan dhe Rakaj, sot morën pjesë në fillimin zyrtar të projektit “Edukimi dhe Kërkimi i Qëndrueshëm në Arsimin e Lartë në Kosovë” (SHER). Ngjarja, e mbajtur në Prishtinë, ku morën pjesë edhe ministrja Nagavci dhe ambasadori austriak Schnetzer, shënoi fillimin e një nisme të rëndësishme që synon nxitjen e edukimit dhe kërkimit të qëndrueshëm në arsimin e lartë në Kosovë.
Ministrja Nagavci ka shprehur mirënjohjen në emër të Qeverisë së Kosovës për shtetin e Austrisë, për mbështetjen e vazhdueshme në të gjitha drejtimet, sidomos në arsim.
Në fjalën e tij Rektori Alishani theksoi rëndësinë e programit në avancimin e peizazhit të arsimit të lartë në Kosovë, në këtë kuadër edhe në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren, në përputhje me standardet evropiane.
Ambasadori Austriak në Kosovë, Georg Schnetzer ka falënderuar Ministrinë e Arsimit për bashkëpunimin e mirë ndër vite me ADA-n. Schnetzer ka rikujtuar mbështetjen e Qeverisë së Austrisë në arsimin, për të cilën ka thënë se përveç privilegj është edhe përgjegjësi, ndërsa ka shtuar se projekti i mëparshëm Heras Plus ka qenë edhe një lloj institucioni për arsimin në Kosovë.
Projekti mbështetet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe e bashkëfinancohet nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës (MASHTI), dhe bazohet në Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë (EHEA) dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs) 4 dhe 9. Programi drejtohet nga World University Service Austria (WUS Austria), në bashkëpunim me Qendrën për Inovacionin Social (ZSI) dhe Agjencinë e Austrisë për Arsim dhe Ndërkombëtarizim (OeAD).




