

Rektori Alishani zgjedhet zv. Kryesues i Konferencës së Rektorëve të Universiteteve publike në Kosovë
Në mbledhjen e fundit të Konferencës së Rektorëve të Universiteteve publike, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, Rektor i Universitetit „Ukshin Hoti” Prizren, u zgjodh zëvendëskryesues i Konferencës, duke pasuar zgjedhjen e Prof. Dr. Arben Hajrullahut, Rektorit të Universitetit të Prishtinës, si kryesues. Këto vendime u morën unanimisht, pa asnjë votë kundër apo abstenim, gjatë takimit të mbajtur në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës.
Në konferencë morën pjesë edhe drejtues të tjerë të universiteteve publike, përfshirë Agron Bajraktarin, rektorin e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj; Artan Dërmakun, rektorin e Universitetit të Gjilanit „Kadri Zeka”; Armand Krasniqin, rektorin e Universitetit të Pejës „Haxhi Zeka”; Drilon Bunjakun, rektorin e Universitetit të Gjakovës „Fehmi Agani”; si dhe Mihane Kerollin, rektoren e Kolegjit Publik Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë.
Konferenca e Rektorëve funksionon sipas një udhëzimi administrativ të lëshuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, i cili përcakton detyrat dhe përgjegjësitë e saj.




