Rektori Krrabaj vizitoi Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së
Të hënën, më datë 22 nëntor 2021, një delegacion i Universitetit “Ukshin Hoti”, Prizren, i kryesuar nga rektori prof.asoc.dr. Samedin Krrabaj, dhe shoqëruar nga prorektorja prof.ass.dr. Albana Milaimi, u.d. dekani prof.asoc.dr. Flamur Shala dhe profesori i Degës së Gjuhës dhe Letërsisë gjermane, prof.asoc. dr. Izer Maksuti, bëri një vizitë pune në Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së, në Shkup me qëllim të zyrtarizmit të bashkëpunimit në mes kësaj Agjencie dhe universitetit tonë.
Me këtë rast u nënshkrua një Marrëveshje bashkëpunimi, nga rektori prof. asoc. dr. Samedin Krrabaj dhe nga drejtori prof.dr. Ylber Sela. Marrëveshja konkretizon bashkëpunimin midis të dy palëve në realizimin e aktiviteteve të përbashkëta, në organizimin e takimeve shkencore, ligjëratat nga ana e specialistëve të gjuhës dhe kulturës, realizimin e projekteve të përbashkëta shkencore, shkëmbimin e botimeve, si dhe aktivitete të tjera. Pas këtij akti, delegacioni ynë mori pjesë edhe në aktivitetin e promovimit të botimit të fundit të kësaj Agjencie, të librit me titull: “GJUHA SHQIPE PARA DHE PAS MIRATIMIT TË LIGJIT TË PËRDORIMIT TË GJUHËVE TË VITIT 2019”, nga autorët: Ylber Sela, Jusuf Zejneli, Jeton Shasivari, Valbona Hajretin, Argëtim Saliu, Llazo Matovski. Agjencia e zbatimit të gjuhës e RMV-së, Shkup, 2021, faqe 184. Në cilësinë e recensentit, prof.asoc.dr. Izer Maksuti vlerësoi këtë botim nga këndvështrimi sociolinguistik, si dhe i politikës e planifikimit gjuhësor.