

Rikonstituohet Këshilli Drejtues i Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren
Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren njofton për konstituimin e Këshillit Drejtues, një proces i rëndësishëm institucional që shënon një fazë të re në forcimin e qeverisjes dhe rritjen e efikasitetit në vendimmarrje. Në kuadër të këtij konstituimi, Këshilli është plotësuar me dy anëtare të reja: Dr. Narqize Arenliu Hoxhaj dhe Prof. Asst. Dr. Flaka Xërxa Beqiri.
Ky hap përfaqëson një avancim të rëndësishëm në konsolidimin e strukturave drejtuese të universitetit, duke reflektuar përkushtimin për transparencë, profesionalizëm dhe zhvillim të qëndrueshëm institucional. Përfshirja e anëtareve të reja pritet të ndikojë pozitivisht në orientimin strategjik të universitetit, në përmirësimin e proceseve vendimmarrëse dhe në rritjen e cilësisë në arsim, kërkim shkencor dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
Njëkohësisht, universiteti shpreh mirënjohje të veçantë për kontributin e deritanishëm të znj. Edita Alo dhe znj. Rajmonda Kurshumlia, të cilat me angazhimin dhe punën e tyre kanë dhënë një ndihmesë të çmuar në funksionimin dhe zhvillimin e Këshillit Drejtues.
Konstituimi i Këshillit Drejtues vjen si pjesë e angazhimeve të vazhdueshme të universitetit për të fuqizuar rolin e tij në sistemin e arsimit të lartë, duke ndërtuar politika dhe praktika që i përgjigjen sfidave bashkëkohore dhe nevojave të komunitetit akademik.
Universiteti u uron mirëseardhje anëtareve të reja dhe suksese në ushtrimin e detyrave të tyre, në funksion të realizimit të misionit dhe vizionit institucional.










