Shënohet 80-vjetori i lindjes së Prof. Ukshin Hotit
Në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, të shtunën është shënuar 80-vjetori i lindjes së Prof. Ukshin Hotit, emrin e të cilit e mban Universiteti.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast nga nikoqiri, Rektori Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, kanë marr pjesë Kryeministri i Qeverisë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Arbërie Nagavci, kryetarët e komunave të rajonit të Prizrenit, përfaqësues të FSK, PK, institucioneve tjera, familjar të Ukshin Hotit, stafi i universitetit, studentë dhe mysafirë të shumtë. Ndërkaq jetëshkrimin e Ukshin Hotit e lexoi Prof. Asoc. Dr. Xhafer Beqiraj, dekan në Fakultetin e Filologjisë.
Kryeministri Albin Kurti në fjalën e tij theksoi se Ukshin Hoti kaloi nëpër tre universitete dhe pothuajse në aq burgje. “Ukshin Hoti me tërësinë e qëndrimit të tij teorik dhe të veprimit praktik e bëri të pamundur dinakërinë e opinioni që ngjau frik mbi mendimin, e bëri të pa mundur universitetin si funksion vetëfrikësimi. Ai e ka vendosur një vulë nga e cila zor mund të shpëtojë e ardhmja e universiteteve tona, dhe sa mirë që është kështu. Ky gjest i tij i përket atij lloji të besëlidhjes mes individualiteteve të vetëdijes dhe vendeve të dijës. Po e them këtë në Prizren, pikërisht në vendin ku është vulosur besëlidhja e lidhja para 145 vitesh. Neve na mbetet detyra historike dhe politike t’i japim një themelim besëlidhjes së universitetit multidisiplinar me autonominë e inteligjencës kolektive.”, theksoi Kryeministri Kurti.
Rektori i Universitetit Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani në fjalën e tij theksoi se vepra e Ukshin Hotit sot na shërben si udhërrëfyes në punën tonë. “ Ndërmjet guximit dhe përkushtimit të tij, profesor Ukshin Hoti shpalosi vizionin e tij për një shoqëri të bashkuar, ku të gjithë qytetarët do të mund të jetonin në harmoni dhe pa diskriminime. Ai ndihmoi për ndërtimin e një Kosove, ku liritë dhe vlerat njerëzore shfaqen në mënyrë të përbashkët dhe respektohen me dinjitet. Ai na mësoi se vlerat dhe ideja e një vendi të bashkuar janë më të rëndësishme sa ndarjet e shtrembëruara të etnisë. Në këtë vigjilje le të ngrihemi në lavdinë e tij dhe përjetojmë frymën e rezistencës dhe përkushtimit të tij. Le të angazhohemi së bashku, për të arritur qëllimet tona për të ndërtuar një shoqëri ku dominojnë vlerat e lirisë, drejtësisë dhe tolerancës”, theksoi Rektori Alishani.
Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj nënvizoi se Ukshin Hoti me tërë potencialin e tij intelektual gjatë gjithë jetës i është përkushtuar çështjes kombëtare dhe frymëzoi shumë breza për ta ngritur zërin për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. “Ndonëse nuk dihet fati i tij dhe i mijëra të pagjeturve të tjerë gjatë luftës, filozofia politike e Ukshin Hotit ka qenë dhe është udhërrëfyese për kontributin ndaj shtetit e dashurisë ndaj atdheut.”, theksoi ai.
Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi theksoi se Ukshin Hotit është i lidhur me historinë tonë, ndërsa vepra e tij jetësore, shkencore e historike, mbetet pazgjidhshëm pjesë e trashëgimisë tonë kombëtare. vigjilje “Atë që duhet ta themi zëshëm dhe pa u ndalur asnjëherë, është kërkesa për ndriçimin e fatit të tij, sado tragjik të jetë. Ai ishte i vetëdijshëm për pasojat e qëndrimeve të tij, sepse ,,kuptimi i jetës së tij ishin fëmijët e tij”, e ardhmja e tyre dhe e fëmijëve të Kosovës. Prandaj, familja, shoqëria dhe të gjithë ne duam ta dimë çfarë i bënë Ukshin Hotit dhe pse emri i tij ende figuron në listën e të pagjeturve.”, theksoi kryetari Latifi.
Djali i Ukshin Hotit, Andin Hoti në emër të familjes falënderoi për organizimin dhe fjalët e mira nga të gjithë, duke thënë se ndihet krenar me jetën dhe veprën e babait të tij. “Ai ka vetëm ditëlindje dhe po ndihem mirë që sot po e shoh vetëm datën e lindjes së tij, dhe data e zhdukjes – vdekjen në infinit. Dua të besojë që ky tempull i dijës që e bart emrin e tij, të Ukshin Hotit, të shërbejë për zbulimin e talenteve të rinj dhe që studentët e këtij Universiteti të jenë vërtet bartës të ndryshimit dhe përparimit të vendit tonë.”, theksoi ai.
Andin Hoti shtoi se sot Ukshin Hoti nuk është në mesin tonë ashtu si na mungojnë edhe 1 mijë e 600 të tjerë të zhdukur me dhunë nga forcat kriminale serbe. “Por ai sot është këtu në këtë Universitet, në shkollat tona, në rrugë dhe në çdo shtëpi të çdo shqiptari. Dhimbja ka qenë e madhe për 24 vite por më të madhe e kemi krenarin me emrin dhe lavdinë e tij.”, u shpreh ai.
Kryetari i Parlamentit Studentor Fatlind Tredhaku në fjalën e tij thekoi se ditëlindja e Profesor Ukshin Hotit mbetet e dhimbshme për tu shënuar. “Mbetet kështu pasi që sot e 24 vite kaluan dhe ne e bëjmë pyetjen: Ku është Ukshin Hoti? Me përuljen më të madhe para figurës së tij dhe me krenarinë më të madhe ne studentët kemi nderin të studiojmë në universitetin që mban emrin e të madhit Ukshin Hoti. Atëherë të gjithë ne le të punojmë e shpresojmë që fati i Ukshin Hotit dhe i të gjithë të zhdukurve nga lufta në Kosovë të zbardhet sa më parë dhe të na mbyllen këto plagë që na shkaktojnë dhimbje me dekada!”, theksoi Kryetari Fatlind Tredhaku.
.