

Aktivitetet i Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit
Sot, në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, u organizua aktivitet me qëllim rritjen e vetëdijes për rëndësinë e zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit dhe ofrimin e informacionit të nevojshëm për kujdesin shëndetësor të grave, organizuar nga Spitali i Përgjithshëm në bashkëpunim me Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren.
Hapjen e aktivitetit e bënë Drejtoresha Ekzekutive e Spitalit të Përgjithshëm, Dr. Narqize Arënliu Hoxha, Rektori i Universitetit, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, si dhe zv. ministri i Ministrisë së Shëndetësisë, z. Arsim Berisha. Në fjalët e tyre përshëndetëse, ata theksuan rëndësinë e ndërgjegjësimit të popullatës për këtë sëmundje dhe mbështetjen që ofrojnë institucionet e tyre në luftën kundër kancerit të gjirit.
Ligjëruesit kryesorë të aktivitetit ishin mjekë dhe profesionistë të shquar të fushës së onkologjisë dhe radiologjisë, të cilët ndanë njohuritë dhe përvojën e tyre profesionale mbi zbulimin dhe trajtimin e kancerit të gjirit. Mes ligjëruesve ishin: Dr. Arta Zhuri Dula, Radiologe, e cila foli për rëndësinë e imazherisë mjekësore në diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit dhe përmirësimin e rezultateve të trajtimit, pastsaj Ass. Dr. Ilir Kurtishi, Onkolog, i cili diskutoi metodat e avancuara të trajtimit dhe menaxhimit të kancerit të gjirit, si dhe rëndësinë e kujdesit multidisiplinar dhe Dr. Sylejman Krasniqi, Radiolog, theksoi rëndësinë e kryerjes së kontrolleve të rregullta dhe përparësitë që ofron diagnostikimi i hershëm.
Aktiviteti tërhoqi një pjesëmarrje të konsiderueshme të profesionistëve të shëndetësisë, studentëve dhe qytetarëve, të cilët patën mundësinë të bëjnë pyetje dhe të marrin përgjigje nga ekspertët për të kuptuar më mirë çështjet që lidhen me parandalimin dhe trajtimin e kancerit të gjirit. Kjo ngjarje shërbeu si një platformë për shkëmbimin e ideve dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve shëndetësore dhe komunitetit në përgjithësi.
Në fund të aktivitetit, u theksua rëndësia e edukimit dhe informimit të vazhdueshëm për të ndihmuar në parandalimin dhe luftimin e kancerit të gjirit, si dhe rëndësia e mbështetjes së grave që përballen me këtë sëmundje.











