

Studentët e Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren pjesë e aktivitetit për zhvillimin e talenteve në sigurinë kibernetike
Në hapësirat e Innovation Centre Kosovo në Prishtinë u mbajt aktiviteti me temë “Zhvillimi i talenteve në sigurinë kibernetike për një sektor më të fortë dhe më gjithëpërfshirës – Fuqizimi i vajzave dhe grave në sigurinë kibernetike”, i organizuar në kuadër të projektit CybHER.
Ky aktivitet mblodhi përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, ekspertë të sigurisë kibernetike, përfaqësues të industrisë së teknologjisë, si dhe përfaqësues nga sektori akademik, me qëllim diskutimin e zhvillimit të kapaciteteve profesionale dhe fuqizimin e talenteve të rinj në fushën e sigurisë kibernetike.
Në hapje të aktivitetit, fjalë rasti mbajtën përfaqësues të institucioneve dhe organizatave partnere, përfshirë Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, H.E. Jonathan Hargreaves, z. Lulëzon Jagxhiu, ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, si dhe përfaqësues nga British Council dhe DCAF. Gjatë kësaj pjese u prezantuan rezultatet dhe ndikimi i projektit CybHER në Kosovë.
Programi vazhdoi me panele diskutimi, të cilat trajtuan tema të rëndësishme si tërheqja, zhvillimi dhe mbajtja e talenteve në sigurinë kibernetike, rrugëtimi nga arsimi drejt karrierës në këtë fushë, si dhe sfidat që lidhen me sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen nga dhuna online.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe studentë të Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren, të cilët paraprakisht kishin zhvilluar për tri javë radhazi ligjërata dhe aktivitete praktike në Cyber Lab, të mbajtura në Auditoriumet e Universitetit, duke kontribuar në thellimin e njohurive dhe aftësive të tyre në fushën e sigurisë kibernetike. Ky aktivitet në kuadër të universitetit u koordinua nga Prof. Asoc. Dr. Enver Buçaj, profesor i lëndëve penale dhe sigurisë kibernetike në universitet.
Në përfundim të aktiviteteve, studentët pjesëmarrës u pajisën me certifikata, si dëshmi e përfundimit të suksesshëm të ciklit të ligjëratave dhe angazhimit të tyre në aktivitetet e Cyber Lab.
Pjesëmarrja në këtë aktivitet u mundësoi studentëve të njihen nga afër me zhvillimet më të fundit në fushën e sigurisë kibernetike, si dhe të krijojnë kontakte me profesionistë dhe institucione që veprojnë në sektorin e teknologjisë dhe sigurisë. Projekti është realizuar me përkrahjen e Mbretërisë së Bashkuar.












