

“Tartufi” i Molière-it ngjall emocion në skenën e Universitetit “Ukshin Hoti”
Fakulteti i Filologjisë i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren vazhdon të promovojë artin dhe kulturën përmes gjeneratave të reja akademike. Këtë herë, studentët e vitit të katërt sollën në skenë një interpretim të fuqishëm të dramës klasike franceze “Tartufi” të autorit Jean-Baptiste Poquelin – Molière.
Shfaqja u realizua nën udhëheqjen artistike të regjisores Albana Krasniqi, me mentorimin akademik të prof. assoc. dr. Vjollca Dibra, si pjesë e angazhimit praktik në kuadër të lëndës së dramaturgjisë. Me një skenografi simbolike dhe lojë të kujdesshme aktoriale, studentët sollën në vëmendje aktualitetin e temës së hipokrizisë dhe moralizimit të rremë, që vazhdon të gërryejë shoqëritë edhe në ditët e sotme.
Në fjalën përshëndetëse, Rektori i Universitetit, prof. dr. Mentor Alishani, u shpreh se iniciativa të tilla kulturore janë dëshmi e gjallë se universiteti nuk është vetëm një qendër dijesh, por edhe një hapësirë për zhvillim të ndjeshmërisë artistike dhe ndërgjegjësimit shoqëror.
Në hapje të ngjarjes, u.d dekania e Fakultetit të Filologjisë, prof. assoc. dr. Vjollca Dibra, përveçse përgëzoi aktorët e rinj për angazhimin e tyre, theksoi rëndësinë e rikthimit të veprave klasike në qendër të diskutimeve letrare e shoqërore. Ajo theksoi se përmes “Tartufit”, Molière nuk sulmon vetëm një karakter, por një fenomen – atë të moralistëve të rremë që përdorin fenë apo vlerat për të manipuluar dhe përfituar.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe përfaqësues të ambasadave dhe institucioneve kulturore. Një fjalë të veçantë përshëndetëse mbajti edhe z. Edouard Mayoral, këshilltar për bashkëpunim i ambasadorit francez në Kosovë, Olivier Guérot, i cili përgëzoi universitetin për ruajtjen e lidhjeve me kulturën franceze dhe për përfshirjen e dramës klasike si urë mes edukimit dhe diplomacisë kulturore.
Shfaqja u ndoq me interesim të madh nga publiku, i cili u përfshi emocionalisht në lojën aktoriale të studentëve që për herë të parë sfiduan veten në një skenë të hapur, duke dëshmuar aftësitë e tyre të formësuara përgjatë viteve të studimit.











