Telegram ngushëllimi me rastin e ndarjes nga jeta të Prof. Dr. Sabahajdin Cenës, profesorit shumëvjeçar të Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren
Sot morëm lajmin e hidhur për ikjen në amshim të Prof. Dr. Sabahajdin Cenës, ish-anëtar i Këshillit Drejtues, u.d. Dekan i Fakultetit të Filologjisë dhe profesor i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren.
Është vështirë të shkruash për një humbje kaq të madhe për Universitetin dhe për shoqërinë tonë në përgjithësi.
E nderuar familje e profesorit, ju humbët familjarin tuaj shumë të dashur, ndërsa ne kolegun, mikun, profesorin dhe pedagogun shumëvjeçar, i cili do të mbetet në kujtesë gjithherë për gjeneratat e studentëve të shumtë, i cili ishte personalitet me virtyte të larta, qoftë si profesor, qoftë si mik.
Jemi thellësisht të pikëlluar për vdekjen e profesorit dhe ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Profesor Cena ishte studiues i jashtëzakonshëm dhe profesor i pazëvendësueshëm. Ikja e tij do të lërë një zbrazëtirë të madh në mesin tonë. Ai ishte koleg i dashur, i përkushtuar në punën e tij, ishte humanist dhe pedagog që punoi pa u ndaluar.
Profesor Cena botoi shumë artikuj, punime shkencore dhe monografi, të cilat do t’i mbesin trashëgimi studentëve, kolegëve dhe të gjithëve.
Profesor Cena ishte pedagogu i parë i rregullt në Universitetin “Ukshin Hoti’ Prizren, i cili ka punuar mësimdhënës edhe në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prizren dhe në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës.
Ngushëllime familjes, të afërmve, kolegëve dhe studentëve për humbjen e Prof. Dr. Sabahajdin Cenës.
I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!
Lavdi jetës dhe veprës së Profesorit!
Prof. Asoc. Dr. Samedin Krrabaj, Rektor
Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren