

U mbajt Akademia Përkujtimore për Prof. Dr. Sabahajdin Cenën
Sot, më 13 janar 2026, në Amfiteatrin e Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, u mbajt Akademia Përkujtimore për Prof. Dr. Sabahajdin Cenën, e organizuar nga Fakulteti i Filologjisë me rastin e trevjetorit të ndarjes së tij nga jeta.
Në këtë akademi u nderua jeta dhe vepra akademike, shkencore dhe njerëzore e Prof. Dr. Sabahajdin Cenës, një personalitet i shquar i arsimit të lartë dhe i studimeve filologjike shqiptare. Me fjalë rasti dhe kumtesa përkujtimore u vlerësua kontributi i tij i çmuar në formimin e gjeneratave të studentëve dhe në zhvillimin e mendimit shkencor.
Në Akademinë Përkujtimore folën Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, Kryetari i Komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi, si dhe profesorët Flamur Shala, Xhafer Beqiraj, Fikret Ramadani dhe Gjyle Totaj, të cilët sollën kujtime dhe vlerësime mbi figurën dhe veprën e Prof. Dr. Sabahajdin Cenës.
Në cilësinë e dekanes së Fakultetit të Filologjisë dhe si studiuese e veprës së tij, Prof. Asoc. Dr. Vjollca Dibra mbajti një fjalë të veçantë kushtuar librit “Proza popullore legjendare shqiptare”, duke theksuar rëndësinë shkencore dhe kontributin e kësaj vepre në studimet e folklorit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.
Në emër të familjes, me një fjalë prekëse u drejtua edhe mbesa e Prof. Dr. Sabahajdin Cenës, znj. Hygerta Ejupi, e cila falënderoi institucionin dhe të pranishmit për respektin dhe kujtesën e vazhdueshme ndaj veprës dhe figurës së tij.
Akademia Përkujtimore mblodhi kolegë, studentë, familjarë dhe dashamirë të veprës së Prof. Dr. Sabahajdin Cenës, duke reflektuar respektin institucional dhe shoqëror për trashëgiminë e tij akademike dhe kulturore.
















