

U mbajt Mbledhja Komemorative në nderim të Prof. Dr. Zahadin Shemsedinit
Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren, organizoi Mbledhje Komemorative në nderim të Prof. Dr. Zahadin Shemsedinit, ish-Rektor i Universitetit, profesor i rregullt i fizikës dhe një ndër figurat më përfaqësuese të arsimit universitar dhe shkencës shqiptare, i cili ndërroi jetë më 29 janar 2026.
Në këtë ceremoni përkujtimore morën pjesë anëtarë të familjes Shemsedini, drejtues institucionalë, profesorë, kolegë, bashkëpunëtorë, studentë dhe përfaqësues të komunitetit akademik e shoqëror. Mbledhja u hap në emër të Këshillit Organizativ të Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren, ndërsa të pranishmit mbajtën një minutë heshtje në nderim të jetës dhe veprës së tij.
Gjatë fjalëve përkujtimore u theksua se Prof. Dr. Zahadin Shemsedini ishte një ndër emrat më të shquar të shkencës së fizikës në Kosovë, me një kontribut të jashtëzakonshëm në arsimin universitar, zhvillimin institucional dhe formimin e brezave të rinj. I lindur më 5 gusht 1948 në fshatin Blaç të komunës së Sharrit, ai ndërtoi një karrierë të gjatë akademike, duke ligjëruar për më shumë se katër dekada në Universitetin e Prishtinës dhe më pas në Fakultetin e Edukimit në Prishtinë dhe Prizren.
Prof. Dr. Shemsedini mori të gjitha thirrjet akademike deri në profesor i rregullt, ishte shef i Departamentit të Fizikës, prodekan i Fakultetit dhe ushtrues detyre i Rektorit të Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren në vitin akademik 2013–2014. Kontributi i tij shkencor përfshin dhjetëra punime shkencore, projekte kërkimore ndërkombëtare, si dhe mbi tridhjetë tekste dhe materiale mësimore për arsimin universitar dhe parauniversitar.
Një dimension i veçantë i veprës së tij ishte edhe angazhimi shoqëror dhe kombëtar gjatë viteve të okupimit, ku ai mbajti poste të rëndësishme në arsimin e Prizrenit dhe u përball me përndjekje e burgosje për shkak të veprimtarisë së tij kombëtare.
Në kuadër të mbledhjes komemorative, fjalë rasti mbajtën Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, z. Kadri Skeja në emër të familjes dhe shoqërisë, Prof. Asoc. Dr. Xhafer Beqiraj në emër të komunitetit akademik, si dhe Prof. Dr. Meleq Bahtijari, të cilët ndanë kujtime dhe vlerësime për jetën, veprën dhe dimensionin njerëzor të Prof. Dr. Zahadin Shemsedinit.
Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje të përhershme për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren ndau Mirënjohje Postmortem për familjen e Prof. Dr. Zahadin Shemsedinit, e cila u dorëzua simbolikisht gjatë ceremonisë.
Mbledhja komemorative u përmbyll me theksin se jeta dhe vepra e Prof. Dr. Zahadin Shemsedinit do të mbeten pjesë e pandashme e historisë së arsimit të lartë dhe kulturës akademike në Kosovë.
I përjetshëm qoftë kujtimi për Prof. Dr. Zahadin Shemsedini. U prehtë në paqe.















