

U mbajt promovimi i librit “Ushtar në ushtrinë e pushtuesit” të autorit Meriman Braha në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren
Në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren u zhvillua sot promovimi i romanit “Ushtar në ushtrinë e pushtuesit” të shkrimtarit dhe atdhetarit të njohur Meriman Braha. Ngjarja u mbajt në Amfiteatrin e Fakultetit Ekonomik dhe u ndoq nga profesorë, studentë, studiues dhe artdashës të letërsisë, të cilët shfaqën interesim të veçantë për veprën dhe mesazhin e saj artistik e historik.
Promovimi u hap me fjalën përshëndetëse të Rektorit, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, i cili theksoi rëndësinë e nxitjes së kulturës dhe krijimtarisë letrare brenda universitetit. Më pas, fjalë rasti mbajtën Prof. Dr. Zymer Neziri dhe Hydaet Hyseni, të cilët vlerësuan kontributin e autorit në letrat shqipe dhe tematikën e ndjeshme të romanit.
Autor Meriman Braha ndau me të pranishmit procesin krijues, përvojat dhe sfidat që e kanë shoqëruar gjatë shkrimit të këtij romani, i cili sjell një perspektivë të veçantë mbi realitete historike dhe njerëzore.
Pas prezantimeve kryesore, pjesëmarrësit morën pjesë në një sesion pyetjesh dhe diskutimesh, ku u shkëmbyen mendime mbi mesazhet, personazhet dhe vlerat që përcjell libri.
Ngjarja u përmbyll me një koktej rasti dhe shpërndarjen e librit për të pranishmit.
Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren falënderon të gjithë pjesëmarrësit për interesimin e treguar dhe për mbështetjen e vazhdueshme në promovimin e kulturës, artit dhe letërsisë shqipe.


















