U mbajt takimi informues rreth thirrjes për grante, për zbatimin e projekteve mësimore të bazuara në hulumtim
Sot është mbajtur takimi informues rreth thirrjes për grante, për zbatimin e projekteve mësimore të bazuara në hulumtim, që është hapur ditë më parë. Sesionin informues e ka udhëhequr znj. Edita Buqinca Menaxhere e Projektit HEI 25 dhe z. Rron Gjinovci, Drejtor Ekzekutiv i Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim, partner në këtë projekt. Në këtë ngjarje kanë marr pjesë edhe Rektori Prof. Asoc. Dr. Sc. Mentor F. Alishani , stafi menaxhues dhe profesorë e asistentë të Universitetit.
Pasi e bëri hapjen e takimit informues, ku mori pjesë edhe ambasadori austriak z. Schnetzer, rektori Alishani inkurajoi stafin akademik që të aplikojnë në këtë thirrje.
Programi i Mësimdhënies së bazuar në punë hulumtuese është zhvilluar dhe do të zbatohet me përkrahjen e projektit “Intervenimet në arsimin e lartë 2025” (HEI’25) në konsultim dhe koordinim të ngushtë me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) dhe përfaqësues të universiteteve publike në Kosovë.
Projekti HEI’25 financohet 60% nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), me kontribut 40% të MASHTI-t dhe Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) dhe zbatohet nga dy organizata partnere – Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) dhe Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA). Ndikimi afatgjatë i këtij projekti është përmirësimi i cilësisë, efektivitetit dhe konkurrueshmërisë së sektorit të arsimit të lartë duke ndihmuar në veprimet dhe proceset kyçe që lidhen drejtpërdrejt me cilësinë, si llogaridhënia, transparenca, integriteti akademik, digjitalizimi dhe aktivizmi studentor, nëpërmjet asistencës teknike, mbështetjes për stafin akademik dhe zbatimit të aktiviteteve përkatëse monitoruese në bashkëpunim me partnerët dhe përfituesit e projektit.