

U mbajt takimi konsultativ për ndryshimet e Statutit të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren
Prizren, 21 maj 2025 — Në kuadër të përpjekjeve për përmirësimin dhe modernizimin e kornizës rregullative të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, sot u zhvillua një takim i rëndësishëm konsultativ me temë “Shqyrtimi i jashtëm i Statutit me rekomandime të propozuara”. Takimi u organizua në bashkëpunim me Programin SHER (Sustainable Higher Education and Research in Kosovo), të financuar nga Qeveria Austriake, me qëllim mbështetjen e reformës institucionale në arsimin e lartë në Kosovë.
Ngjarja nisi me fjalët përshëndetëse të Rektorit të Universitetit, Prof. Assoc. Dr. Mentor Alishani, dhe përfaqësuesit të projektit SHER, z. Nehat Dervishi, të cilët theksuan rëndësinë e këtij procesi për zhvillimin e mëtejmë të institucionit dhe përputhjen e Statutit me standardet bashkëkohore akademike dhe ligjore.
Pjesë qendrore e takimit ishte prezantimi i znj. Kristiina Tõnnisson, eksperte ndërkombëtare nga Programi SHER, e cila ofroi një analizë të detajuar të Statutit aktual si dhe rekomandime për përmirësime të mundshme. Më pas, u zhvillua një diskutim i hapur mes pjesëmarrësve, ku u shkëmbyen mendime, vlerësime dhe sugjerime për avancimin e dokumentit themelor të universitetit.
Pjesëmarrja aktive e stafit akademik dhe administrativ u vlerësua si kyçe për të siguruar një proces gjithëpërfshirës dhe transparent. Takimi u përmbyll me komente përmbyllëse nga Rektori Alishani dhe z. Nehat Dervishi, të cilët ritheksuan përkushtimin për bashkëpunim të mëtejshëm dhe zbatim të suksesshëm të reformave të propozuara.
Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të autonomisë institucionale dhe ngritjes së cilësisë së qeverisjes universitare në Universitetin e Prizrenit.










