U. “Ukshin Hoti” Prizren lidhi marrëveshje me IATP për të promovuar programet e mësimit gjatë gjithë jetës
Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren të hënën nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me IATP-Integrated Agricultural Technology Agency L.L.C. për të promovuar bashkëpunimin në interes të përbashkët për qëllime edukative e kulturore. Marrëveshjen e nënshkroi zv.Rektorja Prof. Ass. Dr. Albana Plakiqi-Milaimi në emër të u.d. Rektorit Prof. Asoc. Dr. Samedin Krrabaj.
Palët nënshkruese janë marr vesh se lëvizjen drejt mësimit gjatë gjithë jetës duhet ta shoqërojë një tranzicion i suksesshëm në ekonominë dhe shoqërinë e bazuar në dije.
Në këtë kuadër, promovimi i qytetarisë aktive dhe punësimit janë qëllime të këtij memorandumi, dhe shihen si po aq të rëndësishme dhe të ndërlidhura për mësimin gjatë gjithë jetës, e ku do të duhej të përfshihen të gjitha format e mësimdhënies dhe të të mësuarit.
Kjo do të arrihet përmes organizimit të përbashkët të kurseve, punëtorive, trajnimeve ndërkombëtare, etj., objekt të marrëveshjes.
Në takim ishin edhe prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar dhe ngritje të cilësisë Prof. Ass. Dr. Arsim Susuri, Prorektori për buxhet, financa dhe Infrastrukturë Prof. Ass. Dr. Dardan Vuniqi, Dekani i FSHJM-së, Prof. Asoc. Dr. Isuf Lushi dhe drejtori i zyrës për bashkëpunim ndërkombëtar z. Përparim Avdullahu.