

Universiteti i Prizrenit mirëpret delegacionin ndërkombëtar të bibliotekarëve në kuadër të bashkëpunimit akademik dhe digjitalizimit
Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren pati kënaqësinë të mirëpresë një delegacion ndërkombëtar të bibliotekarëve dhe profesionistëve të informacionit në kuadër të simpoziumit ndërkombëtar të organizuar nga Biblioteka e SEEU, në kuadër të projektit Erasmus+ KA210 “Empowering Information Professionals: Digital Transformation through Collaboration between Turkey, Norway, and North Macedonia”.
Delegacioni përbëhej nga përfaqësues të bibliotekave universitare nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Turqia, Norvegjia, si dhe nga përfaqësues të Fulbright dhe Peace Corps nga SHBA, të cilët zhvilluan një vizitë kulturore dhe institucionale në qytetin e Prizrenit.
Gjatë vizitës në universitet, mysafirët patën mundësinë të njihen më nga afër me aktivitetet akademike, funksionimin e bibliotekës universitare, proceset e digjitalizimit dhe mundësitë për bashkëpunim ndërinstitucional në fushën e bibliotekarisë, shkëmbimeve akademike dhe zhvillimit profesional.
Ky takim shërbeu si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve ndërkombëtare dhe krijimit të partneriteteve të reja që kontribuojnë në avancimin e shërbimeve bibliotekare dhe transformimin digjital në arsimin e lartë.
Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren mbetet i përkushtuar në zgjerimin e bashkëpunimeve me institucione vendore dhe ndërkombëtare, duke promovuar inovacionin, dijen dhe zhvillimin akademik.










