

Universiteti i Prizrenit sjell podcast-in e parë universitar me mbështetjen e ABI SH.P.K
Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren dhe ABI SH.P.K kanë formalizuar një Memorandum Bashkëpunimi me synim forcimin e lidhjes ndërmjet sektorit akademik dhe atij privat, në funksion të mbështetjes së arsimit, kulturës dhe aktiviteteve rinore.
Marrëveshja u nënshkrua nga Rektori i universitetit, Mentor Alishani dhe përfaqësuesi i ABI SH.P.K, z. Alajdin Fusha. Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë edhe Prorektori për Mësimdhënie, Çështje të Studentëve dhe Kërkime Shkencore, Luan Vardari, u.d. Dekania e Fakultetit të Filologjisë, Vjollca Dibra, u.d. Prodekani i Fakultetit të Filologjisë, Fikret Ramadani, si dhe Prorektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Ngritje të Cilësisë, Serdan Kervan.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi parashihet mbështetje financiare dhe materiale për një sërë aktivitetesh universitare, duke përfshirë konferenca shkencore, debate studentore, projekte kërkimore, botime akademike, aktivitete kulturore dhe artistike, si dhe organizimin e Shkollës Verore Ndërkombëtare.
Një ndër projektet më të reja dhe më inovative të universitetit është podcast-i universitar, i cili pritet të lansohet së shpejti dhe do të financohet nga ABI SH.P.K. Ky projekt synon të krijojë një platformë moderne komunikimi për studentët, profesorët dhe komunitetin akademik, duke promovuar diskutimin, mendimin kritik dhe idetë kreative.
Përmes kësaj marrëveshjeje, palët synojnë të kontribuojnë në zhvillimin akademik e kulturor, fuqizimin e rinisë dhe avancimin e interesit publik në fushën e arsimit dhe kulturës.







