

Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti” pjesëmarrës në Konferencën për Zhvillim Ekonomik në Kosovën Perëndimore
Më 12 qershor 2025, në qytetin e Pejës, u mbajt Konferenca për Zhvillim Ekonomik të Kosovës Perëndimore, e organizuar nga Komanda Rajonale Perëndim e KFOR-it, nën udhëheqjen e Komandantit Kolonel Francesco Erico, në bashkëpunim me institucionet vendore dhe ndërkombëtare. Kjo konferencë ishte pjesë e angazhimeve të përbashkëta për zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit për Kosovën Perëndimore, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit ndërsektorial për zhvillim të qëndrueshëm.
Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti” u përfaqësua nga Rektori, Prof. Mentor Alishani, i shoqëruar nga Prorektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar Prof. Serdan Kervan dhe Prorektori për Mësim dhe çështje të studentëve Prof. Luan Vardari.
Në këtë konferencë morën pjesë edhe:
Rektorët e Universiteteve të Pejës dhe Gjakovës. Kryetarët e komunave të Kosovës Perëndimore. Përfaqësues të bizneseve lokale dhe ndërkombëtare. Si dhe përfaqësues të institucioneve arsimore dhe shoqërisë civile.
Gjatë fjalës së tij, Rektori Alishani theksoi:
Rëndësinë e bashkëpunimit të strukturuar ndërmjet universiteteve, pushtetit lokal dhe sektorit privat, si bazë për zhvillim të qëndrueshëm;
Nevojën për përshtatjen e arsimit të lartë me tregun e punës, duke fuqizuar përgatitjen profesionale të studentëve;
Rolin aktiv të universiteteve në përmirësimin e jetës komunitare, përmes dijes, inovacionit dhe projekteve ndërinstitucionale.
Komandanti i Komandës Rajonale Perëndim, Kolonel Francesco Erico, në fjalën e tij mirëseardhëse, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet akterëve lokalë dhe ndërkombëtarë për të ndihmuar zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në Kosovën Perëndimore. Ai falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin dhe vullnetin për bashkëpunim.
Konferenca shërbeu si platformë e rëndësishme për nxitjen e partneriteteve dhe projekteve të përbashkëta ndërmjet universiteteve, komunave dhe sektorit të biznesit.
Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti” riafirmon përkushtimin e tij për të qenë një faktor i rëndësishëm në zhvillimin rajonal, përmes bashkëpunimit, inovacionit dhe përfshirjes aktive në proceset shoqërore dhe ekonomike.















