

Universiteti i Zarës mirëpret delegacionin e Universitetit të Prizrenit
Një delegacion i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, i udhëhequr nga Rektori Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani dhe Kryetari i Këshillit Drejtues Prof. Asoc. Dr. Arif Murrja, realizoi një vizitë zyrtare në Universitetin e Zarës në Kroaci. Qëllimi i kësaj vizite ishte forcimi i bashkëpunimit ndëruniversitar, nxitja e shkëmbimeve akademike dhe zhvillimi i projekteve të përbashkëta brenda kornizës së programeve ndërkombëtare, si Erasmus+, Horizon Europe dhe programet të tjera të mbështetura nga Bashkimi Evropian, që ofrojnë mundësi të mëdha për zhvillimin e kërkimit shkencor dhe mobilitetin e studentëve dhe stafit akademik.
Gjatë vizitës, delegacioni pati mundësinë të njihej edhe me komunitetin arbëresh në Zarë, një grup i njohur për ruajtjen e traditave, gjuhës dhe kulturës shqiptare në këtë qytet. Kjo vizitë theksoi lidhjet historike dhe kulturore mes shqiptarëve dhe arbëreshëve të Zarës dhe nënvizoi mundësinë e thellimit të bashkëpunimeve kulturore dhe akademike në të ardhmen.
Pjesë e këtij delegacioni ishin gjithashtu: Prof. Isuf Lushi, Prof. Sadik Maloku, Prof. Vilson DeMarku, Prof. Jasmin Jusufi, Prof. Flamur Shala, si dhe Sekretari i Përgjithshëm, z. Nexhmedin Krasniqi.
Gjatë takimeve me drejtuesit e Universitetit të Zarës, u diskutua për mundësitë e mobilitetit të studentëve dhe stafit akademik, bashkëpunimin në fushën e kërkimit shkencor, si dhe për hartimin e marrëveshjeve konkrete të bashkëpunimit. Të dyja palët shprehën gatishmëri për të avancuar partneritetin institucional në interes të zhvillimit të arsimit të lartë.
Vizita u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të universiteteve pjesëmarrëse dhe thellimit të marrëdhënieve akademike mes Kosovës dhe Kroacisë.








