

Universiteti ka pranuar një donacion të çmuar librash nga ish-Rektori Prof. Dr. Mazllum Baraliu
Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren sot ka pranuar një donacion të çmuar librash për bibliotekën universitare nga ish-Rektori i këtij institucioni, Prof. Dr. Mazllum Baraliu, si dhe nga profesori Prof. Gani Plana. Donacioni përbëhet nga tituj dhe botime shkencore me vlerë studimore, të cilat do t’u shërbejnë studentëve, profesorëve dhe studiuesve të fushave të ndryshme.
Përfaqësues të universitetit kanë shprehur mirënjohje të veçantë për këtë kontribut, duke theksuar se fondi i ri i literaturës do të zgjerojë burimet akademike të bibliotekës dhe do të forcojë mbështetjen e procesit të studimit dhe kërkimit shkencor.
Universiteti vlerëson gjithashtu rolin historik të Prof. Dr. Mazllum Baraliut gjatë fazës së themelimit të universitetit. Kontributi i tij në ngritjen e bazave institucionale të Universitetit “Ukshin Hoti” konsiderohet thelbësor për funksionimin e sotëm të tij si institucion publik i arsimit të lartë. Stafi akademik dhe administrativ mbeten thellësisht mirënjohës për përkushtimin dhe vizionin e tij.






