Universiteti mbajti akademi përkujtimore për jetën dhe veprën e Prof. Dr. Sabahajdin Cenës
Rektori i Universitetit Prof. Asoc. Dr. Samedin Krrabaj në fjalën e tij me këtë rast theksoi se lajmi për ikjen nga kjo botëeProfesor Sabahajdin Cenës na ka tronditur të gjithëve. “Është e vështirë të mbaj këtë fjalim për një humbje kaq të madhe për Universitetin dhe për shoqërinë tonë në përgjithësi. Jemi thellësisht të pikëlluar për vdekjen e profesorit dhe ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.”, theksoi Rektori Krrabaj. Ai shtoi se profesori Sabahajdinnuk ishte profesor i zakonshëm. Ishte më shumë se një profesor, ishte një misionar në profesionin e mësimdhënies. Kur e kërkoi atdheu, i rroki armët për t’i dalë krah vendit.Librat i mbante me vete.Profesor Cena ishte studiues i jashtëzakonshëm dhe profesor i pazëvendësueshëm. Ikja e tij do të lërë një zbrazëtirë të madh në mesin tonë”, shtoi Rektori Krrabaj.
Dekani i Fakultetit të Filologjisë, profesor Xhafer Beqiraj, foli për jetën dhe veprimtarinë e Prof. dr. Sabahajdin Cenës, i cili, ndër të tjera, tha: “Të flasësh për jetën dhe veprën e prof. dr. Sabahajdin Cenës nuk është e lehtë, sepse personaliteti i tij është shumë kompleks dhe shumëpërmasësh, andaj është e pamundur të përmbledhësh të tërën në një nekrologji. Pse themi se profesori ynë është personalitet kompleks dhe shumëpërmasësh dhe çfarë e bën atë të tillë?Së pari, ai ishte misionar i arsimit si në kohë paqeje, ashtu edhe në kohë të vështira për kombin. Së dyti, profesori ishte edhe misionar i lirisë për çlirimin e Kosovës nga zgjedha shekullore e Serbisë, i cili iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 10 maj 1998, për të luftuar kundër terrorit dhe gjencidit serb ndaj popullit shqiptar të Kosovës, derisa u çlirua më 12 qershor 1999. Profesori ynë veshi dy uniforma prej misionari, atë të pedagogut ndër dekada që arsimoi dhe edukoi brezat e rinj dhe i mësoi ata si duhet punuar për atdheun, dhe uniformën e luftëtarit të lirisë në radhat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për çlirimin e Atdheut. Kjo është figura e shquar e profesor Sabahajdin Cenës, e veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, i cili qe dhe mbetet në kujtesën e bashkëluftëtarëve dhe të gjithë atyre që e njohën, një burrë guximtar e atdhetar i shquar; për studentët e tij një pedagog i përkushtuar dhe një studiues i dalluar në fushën e albanistikës, me të cilin jemi krenarë të gjithë, sepse vepra e tij shumëdimensionale është dhe do të jetë e pavdekshme për jetë e mote.
Kryetari i Komunës së Rahovecit Smaj Latifi e ngriti lart figurën dhe kontributin e profesori të ndjerë. Ai tha se duhet të ndihemi të lumtur dhe krenar që jetuam në epokën e tij dhe se patëm fatin të bashkëpunojmë me të. “Besojmë se Sabahajdin Cena ka ende për të thënë, sepse janë gati për botim edhe dy vëllimet e fundit të monografisë “Kronikë nëpër stuhi”, ndërsa me një punë më të kujdesshme mund të përpunohen e botohen edhe shumë dorëshkrime në formën e memoareve”, theksoi kryetari Latifi.
Në emër të bashkëluftëtarëve të profesorit Cena, foli Qemajl Krasniqi i cili rikujtoi kontributin e profesorit në çlirimin e vendit. “Profesori i ishte luftëtari ditëve të para të UÇK-së dhe e përfundoi luftën në detyrën ndihmës komandantit për marrëdhënie civile ushtarake në Zonën Operative të Pashtrikut”, theksoi Krasniqi.
Në emër të familjes së profesori të ndjerë, një fjalë e mbajti djali i tij , Alfred Cena.Ai e falënderoi Rektorin e Universitetit për organizimin e akademisë përkujtimore. Ai tha se ndihen krenar që kishin prind profesorin Cena, i cili me gjithë angazhime tij në universitet e luftë, gjithmonë ishte kujdesur edhe për mirëqenien e familjes.
Profesor Cena ishte pedagogu i parë i rregullt në Universitetin “Ukshin Hoti’ Prizren, i cili ka punuar mësimdhënës edhe në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prizren dhe në Universitetin e Prishtinës.Ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues dhe Dekan i Fakultetit të Filologjisë. Profesor Cena botoi shumë artikuj, punime shkencore dhe monografi, të cilat do t’i mbesin trashëgimi studentëve, kolegëve dhe të gjithëve.
Ndryshe, prof. dr. Sabahajdin Cena, ka ndërruar jetë në moshën 69 vjeçare me datë 13 janar të këtij viti, dhe ishte varrosur po atë ditë me një nderime qytetare dhe ushtarake në varrezat e dëshmorëve në Rahovec.