Universiteti shënoi përvjetorin e 13-të të punës
Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren, të hënën ka shënuar 13-vjetorin nisjes së punës, si universiteti publik i dytë në vend. Universiteti këtë ditë e ka shënuar me një ceremoni solemne ku kanë marr pjesë strukturat drejtuese, stafi i universitetit, studentët dhe mysafirë të shumtë.
Rektori i Universitetit, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, në fjalën e tij theksoi se sot, jemi mbledhur këtu për të reflektuar mbi rrugëtimin tonë të përbashkët, për arritjet dhe sfidat që kemi përballur, dhe për qëllimet tona për të ardhmen. “Ky universitet është një fushë e pasur e dijes, një qendër ku mendja dhe kreativiteti takohen për të lindur dije të reja dhe inovacion. Ne jemi krenarë për të gjithë studentët tanë që kanë ndërtuar rrugëtimin e tyre të edukimit këtu dhe janë përgatitur të jenë liderët e së ardhmes”, theksoi Rektori Alishani. Ndërkaq, ai shtoi se në të ardhmen, kemi sfida të mëdha përpara, por kemi edhe shanse të mëdha për të rritur kualitetin e arsimit dhe për të kontribuar në zhvillimin e shoqërisë sonë. “Së bashku, le të punojmë me qëllim dhe pasion për të ndërtuar një të ardhme më të mirë dhe për të lënë një gjurmë të përhershme në historinë e këtij universiteti”, bëri thirrje Rektori Alishani.
Në fund, rektori falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar në suksesin e këtij universiteti.
Ndërkaq, Kryesuesi i Këshillit Drejtues, Prof. Asoc. Dr. Arif Murrja theksoi se në çdo ditë në Universitetin “Ukshin Hoti” punohet shumë për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor. “Ne përkrahim vlerat e pavarësisë akademike, ndershmërisë intelektuale dhe të menduarit kritik. Ne besojmë se suksesi mund të arrihet, jo vetëm me talent, por edhe me shumë punë. Ne besojmë se suksesi nuk është i individëve por i ekipit apo skuadrës. Ne besojmë se të gjithë bashkë do ta bëjmë këtë Institucion të Arsimit të Lartë një Universitet Rajonal”, theksoi kryesuesi Murrja. Më tutja ai shprehu besimin e tij se investimi i kryer deri më tani do të vazhdojë edhe në të ardhmen, si vizion dhe drejtim i ri dhe do të pasurojë më tej vlerat që trashëgoi ky Universitet. “Në këtë kuadër zbatimi gradual i eksperiencave akademike dhe menaxhuese të fituara, së bashku me punën dhe përpjekjet e tërë stafit akademik, do të jenë një vlerë e shtuar në dobi të formimit profesional dhe edukimit, të këtij ‘kapitali të çmuar’”, përfundoi Kryesuesi i Këshillit Drejtues të Universitetit Prof. Asoc. Dr. Arif Murrja.
Për historikun e Universitetit foli Prof. Asoc. Dr. Xhafer Beqiraj i cili është dekan në Fakultetin e Filologjisë.
Profesor Beqiraj theksoi se Universiteti “Ukshin Hoti” edhe pse numëron 13 vjet veprimtari, ka arritur të ecë krahë për krahë me universitet e tjera të vendit tonë e më gjerë dhe jo rastësisht konsiderohet Universiteti i dytë në vend. “Besojmë shumë se objektivat e planit strategjik për zhvillimin e mëtutjeshëm të Universitetit do t’i arrijmë vetëm me punë, angazhime sistematike, me bashkëveprim e seriozitet, duke filluar nga stafi akademik, stafi administrativ e deri te sukseset e studentëve tanë, sepse jemi të vetëdijshëm se vetëm kështu e nderojmë e emrin e Profesor Ukshin Hotit, emrin e të cilit me krenari e bartë Universiteti ynë, vetëm kështu e nderojmë qytetin historik të Prizrenit dhe këtë tempull të dijes së Republikës së Kosovës.”, përfundoi dekani Beqiraj.
Ceremoninë e moderoi Dr. Sc. Dorinë Rakaj, e cila është staf akademik në Fakultetin e Filologjisë.
Në fund të ceremonisë, Rektori dhe Kryesuesi ndanë mirënjohjet për stafin akademik dhe administrativ që kanë arritur moshën e pensionimit, në shenjë mirënjohje për kontributin e dhënë në zhvillimin e këtij universiteti.
Ceremonia e kremtimit të 13-vjetorit të Universitetit u përmbyll me një program të pasur artistik me muzikë klasike dhe valle popullore, ndërsa Rektori vendosi lule te shtatorja e intelektualit dhe atdhetarit Ukshin Hoti, emrin e të cilit e mban Universiteti.