

Universiteti “Ukshin Hoti” dhe SHER drejt bashkëpunimeve të reja akademike
Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, priti në një takim koordinues përfaqësuesit e projektit Sustainable Higher Education & Research (SHER), i financuar nga Qeveria e Austrisë.
Takimi u zhvillua më 30 mars 2026, në ambientet e universitetit, ku morën pjesë z. Aqim Emurli, Team Leader, dhe z. Nehat Dervishi, Koordinator Tematik nga ekipi i SHER-it. Në takim ishin të pranishëm edhe anëtarë të menaxhmentit të universitetit, përfshirë Prorektorin për Mësim, Çështje Studentore dhe Kërkime Shkencore, Prof. Ass. Dr. Luan Vardari, si dhe Prorektorin për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Sigurim të Cilësisë, Prof. Asoc. Dr. Serdan Kervan.
Gjatë takimit u diskutuan çështje me rëndësi që lidhen me zhvillimin e arsimit të lartë, avancimin e bashkëpunimeve ndërinstitucionale, si dhe mundësitë për projekte të përbashkëta në të ardhmen. Rektori Alishani theksoi rëndësinë e forcimit të lidhjeve ndërmjet universitetit dhe partnerëve të ndryshëm, me synim rritjen e cilësisë në arsim dhe kërkim shkencor.
Takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive dhe miqësore, ku të pranishmit shkëmbyen ide dhe përvoja të vlefshme. Në përfundim, palët u dakorduan për vazhdimin e bashkëpunimit dhe konkretizimin e nismave të përbashkëta në periudhën në vijim.










