Universiteti “Ukshin Hoti” i jep Titullin Doktor Nderi “Dr. honoris causa” shkrimtarit Ismail Kadare
Senati i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur më 17 Qershor 2021, në ditëlindjen e Prof. Ukshin Hoti, i ka thënë Titullin Doktor Nderi “Dr. honoris causa” shkrimtarit Ismail Kadare.
Vendimi është marr mbështetur në dispozitat e Statutit, Nenin 48 paragrafi 1.19 dhe nenin 187 paragrafi 1.2., për meritat për dhënien e kontributit të rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve njerëzore në mbështetjen dhe konsolidimin e paqes në Kosovë.
Ky vendim është marr në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 78-vjetorit të lindjes së Prof. Ukshin Hotit.
Në komunikimin që është zhvilluar në këtë kuadër, Kadare e ka mirëpritur vendimin e Senatit për titullin e nderit dhe është shprehur mirënjohës. Titulli do t’i dorëzohet solemnisht në muajin tetor sivjet në përvjetorin e themelimit të Universitetit.
Ndërkaq, në ceremoninë solemne që është mbajtur për të kremtuar ditëlindjen e Prof. Ukshin Hotit, një fjalë e mbajti Kryesuesi i Këshillit Drejtues(KD) të Universitetit “Ukshin Hoti”, Prof. asoc. dr. ARIF Murrja; pastaj Rektori Prof. asoc. dr. Ismet Temaj, për jetën dhe veprën e Ukshin Hotit foli Dr. Sc Sabri Kiçmari, ndërsa për historikun e Universiteti, të arriturat dhe sfidat foli Prof. ass. dr. Xhafer Beqiraj. Një fjalë rasti e mbajti përfaqësuesi i studentëve, Arianit Berisha dhe Andin Hoti fili në emër të familjes së profesorit Ukshin Hoti. Për të nderuar prezencën e tij, një fjalë rasti ju dha edhe gjeneralit shqiptar Kodusi Lama.
Kryesuesi i KD-së Murrja në hapje të ceremonisë bëri thirrje që të angazhohemi për të kanalizuar energjinë e të gjithëve, si të punonjësve të universitetit, ashtu edhe të Ministrisë e Qeverisë, në bërjen e këtij Universiteti. Ashtu siç do të donte profesor Ukshin Hoti.` “Të punojmë për një Universitet që do ta nderonte emrin e profesorit Ukshin, dhe jo të kundërtën. T’i vëmë një cak vetës, që brenda një periudhe afatmesme të kemi studimet e doktoratës edhe këtu në Prizren. Të punojmë ta bëjmë këtë Universitet lider në rajon. Të angazhohemi që në çdo përvjetor të ditëlindjes së Profesorit Ukshin të shënojmë sukseset e këtij universiteti”, theksoi profesor Murrja.
Rektori Temaj tha se Ditëlindja e Ukshin Hotit do të festohet gjithmonë kur do të kujtojmë jetën, veprën dhe sakrificën e tij për kombin shqiptar. “Uroj që çdo herë në ditëlindjen e Ukshin Hotit ky Universitet të bëjë traditë që të merr nga një vendim të madh, për të nderuar personaliteti siç është rastin i shkrimtarit Ismail Kadare, por edhe vendime të rëndësishme për zhvillimin e këtij Universiteti”, theksoi Rektori Temaj.
Duke folur për jetën dhe veprën e Ukshin Hotti studiuesi dhe ambasadori Dr. Sc. Sabri Kiqmari, theksoi se politologu Ukshin Hotin, nga ambientet e larta institucionale dhe shkencore, regjimi e zbret në burg për shkak të bindjes së tij politike dhe kërkesës së tij për republikë. Duke shtuar se pas daljes nga burgu filloi persekutimi i dytë i natyrës shoqërore, duke u stigmatizuar në xhami dhe oda nëpër fshatra, në rajonin e Prizrenit. “Këtë lloj linçimi publik ai e shtjellon si formë të presionit për të mos menduar ndryshe nga estabilishmeti”, theksoi Kiqmari, duke shtuar se duke lexuar Ukshin Hotin e ndjejmë mungesën e tij në Prishtinë. Duke folur pikëpamjet e tij për politikën e jashtme, Kiqmari theksoi se Ukshin Hoti me pikëpamje ishte në korrelacion me përfaqësues të shkollës realiste në marrëdhëniet ndërkombëtare duke definuar politikën e jashtme si kompleks metodash për arritjen e interesave të shtetit dhe shprehje e shtetësisë dhe sovranitetit të popullit.
Profesori Beqiraj numroi sukseset e Universitetit ndër vite, duke theksuar se Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren, është institucion akademik e konkurrues i orientuar në ofrimin e edukimit cilësor duke zhvilluar kërkime shkencore dhe duke kontribuar në inovacion, në përputhje me kërkesat e tregut të punës dhe komunitetit ku vepron në nivel lokal, kombëtar dhe më gjerë.
Kryetari i komunës së Prizrenit, Prof. Dr. Mytaher Haskuka theksoi se duhet të angazhohemi të gjithë që ky universitetit që mban emrin e profesorit Ukshin Hoti të shënojë vetëm suksese.
Përfaqësuesi i studentëve, Arianit Berisha foli për dëshirën e përjetshme të studentëve, që profesorin ta kishim para nesh duke na dhënë leksione e duke na ndihmuar në formimin tonë akademik, intelektual e patriotik. “Fatkeqisht profesorin e kemi prezent vetëm në bronz, por edhe kjo duhet të jetë e mjaftueshme që të gjithë ne të ecim në rrugën e tij. Konsideroj që veprimtaria e secilit që ndodhet në këtë sallë lidhet drejtpërsëdrejti me zhvillimin e këtij Universiteti, prandaj ju bëj thirrje të gjithëve që të punojmë me ndershmëri që këtë tempull të dijes ta radhisim në mesin e Universiteteve me famë botërore sepse para se të jetë nder e privilegj emri që mban Universiteti ynë, mbi të gjitha është një përgjegjësi e madhe mbi supet tona që ta përfaqësojmë atë në mënyrë të denjë”, theksoi Barisha duke porositur siç u shpreh ai, që të shërbejë shtatorja e Profesorit, që sa herë ndodhemi para vendimeve të rëndësishme për të ardhmen e Universitetin, të kujdesemi që jemi duke ecur në rrugën e tij. “Veç ditëlindje ka Profesori Ukshin Hoti”, përfundoi ai.
Djali i Ukshin Hotit, Andin Hoti, e falënderoi Universitetin për këtë organizim.
Pjesë e aktiviteteve ishte edhe ekspozita për Ukshin Hotin në mjediset e Fakultetit Ekonomik dhe Ndezja e flakadanëve bëhet në orën 20:00 në shtëpinë Muze të Ukshin Hotit në Krushë të Madhe.
Ceremoninë e moderoi Msc. Tauland Thaqi, udhëheqës i Zyrës së Projekteve.