

Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren mirëpret studentët e rinj – Viti Akademik 2025/26
Në kuadër të Javës së Mirëseardhjes 2025, sot në mënyrë solemne u mirëpritën studentët e rinj në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren.
Ceremonia u hap me një fjalim përshëndetës nga Rektori, Prof. Mentor Alishani, i cili inkurajoi studentët e rinj që të shfrytëzojnë sa më mirë këtë udhëtim akademik. Ai theksoi se universiteti është një hapësirë e pasur me mundësi për rritje personale dhe profesionale, duke nënvizuar rëndësinë e mbështetjes dhe bashkëpunimit të ndërsjellë mes stafit akademik dhe studentëve.
Më pas, Prorektorja, Prof. Adelina Rakaj, prezantoi Kodin e Etikës, duke theksuar rëndësinë e respektimit të tij për krijimin e një ambienti akademik dhe profesional. Ajo vuri në dukje se Kodi i Etikës është një udhërrëfyes i vlefshëm për të ndihmuar studentët në përballimin e sfidave dhe ndërtimin e një karriere të suksesshme.
Në vijim, z. Nehat Gashi, udhëheqës i Qendrës për Karrierë dhe Alumni, prezantoi rolin e rëndësishëm të kësaj qendre në mbështetjen e studentëve për zhvillimin e aftësive profesionale, krijimin e mundësive për praktikë dhe punësim, si dhe shërbimet që ajo ofron për të gjithë studentët e universitetit.
Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe Nënkryetarja e Parlamentit Studentor, Bleona Buduri, e cila theksoi rolin kyç të këtij organi në përfaqësimin e zërit të studentëve dhe në përmirësimin e kushteve akademike e sociale.
Eventi përfundoi me ftesën drejtuar studentëve që të marrin pjesë në aktivitetet e tjera të Javës së Mirëseardhjes 2025, duke eksploruar njësitë e tyre akademike dhe duke krijuar përvoja të paharrueshme në këtë etapë të re të jetës së tyre.






















