

Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi me Gjykatën Themelore në Prizren
Në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe avancimit të cilësisë së arsimit juridik, Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren, përmes Fakultetit Juridik, ka nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi për Bashkëpunim me Gjykatën Themelore në Prizren.
Marrëveshja u nënshkrua nga Prof. Assoc. Dr. Mentor Alishani, në emër të Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren, dhe nga Znj. Shpresa Emra, Kryetare e Gjykatës Themelore në Prizren.Në takim ishte i pranishëm edhe Ass. Milot Krasniqi, i cili përfaqësoi Fakultetin Juridik dhe mbështeti procesin e nënshkrimit të marrëveshjes.
Qëllimi i këtij memorandumi është forcimi i lidhjeve profesionale dhe akademike, me fokus në:
- zhvillimin e praktikave juridike për studentët;
- shkëmbimin e ekspertizës profesionale;
- organizimin e aktiviteteve akademike, kërkimore dhe shkencore të përbashkëta;
- lidhjen më të ngushtë ndërmjet teorisë dhe praktikës gjyqësore.
Gjykata Themelore do të mbështesë programet Bachelor dhe Master, do të lehtësojë zhvillimin e praktikave profesionale për studentët e Fakultetit Juridik, si dhe do të marrë pjesë në konferenca, publikime dhe trajnime të përbashkëta.
Ndërkohë, Fakulteti Juridik i UUHP-së do të ofrojë mbështetje institucionale për realizimin e aktiviteteve të përbashkëta, zhvillimin e klinikave juridike dhe fuqizimin e kapaciteteve profesionale të studentëve dhe stafit.
Memorandumi do të jetë në fuqi për një periudhë trevjeçare, me mundësi rinovimi, dhe pritet të kontribuojë ndjeshëm në avancimin e përvojës praktike të studentëve, si dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.
Ky hap përfaqëson një moment të rëndësishëm në konsolidimin e bashkëpunimit institucional dhe në krijimin e mundësive të reja për zhvillim profesional e akademik në fushën e drejtësisë.







