

Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren organizon seminar për ndikimin e specieve invazive dhe turizmin e qëndrueshëm
Fakulteti i Shkencave të Jetës dhe Mjedisit në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren organizoi një seminar të rëndësishëm me temën “Qasja ‘One Health’ për zgjidhjen e problemeve të specieve invazive dhe projekti i turizmit të qëndrueshëm”.
Në fjalën e tij hyrëse, Rektori i Universitetit, Prof. Assoc. Dr. Mentor Alishani, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në trajtimin e çështjeve mjedisore dhe ndikimin e specieve invazive në biodiversitet.
Në këtë ngjarje të rëndësishme mori pjesë edhe Zëvendësministri i Arsimit, Arsim Ademi, i cili e vlerësoi seminarin si një hap të rëndësishëm në ndërgjegjësimin dhe edukimin e studentëve mbi sfidat mjedisore. Ai theksoi rëndësinë e integrimit të qasjes “One Health” në programet akademike dhe rolin e universiteteve në promovimin e qëndrueshmërisë mjedisore.
Ky seminar, i udhëhequr nga Major Francesco Cimarelli, Oficer Veterinar i RC West dhe kontingjentit të KFOR-it, u mbajt në amfiteatrin e fakultetit me pjesëmarrjen e studentëve, stafit akademik dhe përfaqësuesve nga KFOR-i italian.
Dekanija e Fakultetit, Prof. Assoc. Dr. Albana Milaimi, gjithashtu foli mbi rëndësinë e edukimit dhe shkëmbimit të përvojave për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.
Një fjalim të veçantë mbajti edhe Maggiore Alessandro Orlandi, i cili foli për iniciativën dhe rëndësinë e organizimit të këtij seminari. Ai theksoi përkushtimin e KFOR-it italian në mbështetjen e projekteve që lidhen me mbrojtjen e mjedisit dhe ndikimin e specieve invazive në biodiversitet. Orlandi vuri në dukje se bashkëpunimi akademik dhe ndërkombëtar është kyç për të trajtuar sfida të tilla globale dhe shprehu kënaqësinë për këtë partneritet me Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren.
Seminari përfshiu dy sesione kryesore: parimet e qasjes “One Health” dhe ndikimin e specieve invazive, si dhe rolin e turizmit të qëndrueshëm në ruajtjen e biodiversitetit. Diskutimet u pasuan nga një bashkëbisedim interaktiv, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të ndanin pikëpamjet dhe përvojat e tyre mbi këto çështje.
Në përmbyllje të aktivitetit, u shpërndanë certifikata për pjesëmarrësit, duke shënuar një hap të rëndësishëm në ndërgjegjësimin dhe angazhimin e komunitetit akademik për sfidat mjedisore dhe menaxhimin e specieve invazive.
Ky seminar u vlerësua si një mundësi e shkëlqyer për të zgjeruar njohuritë mbi ndikimin e specieve invazive dhe mënyrat për të promovuar një ekosistem të qëndrueshëm në rajon.











